PS fituese në Shalë, mbyllen zgjedhjet vendore
Është mbyllur mbrëmë në KQZ numërimi i votave të Shalës. Balë Vuksani i PS-së ka marrë 2 vota më shumë se Dedë Tonaj i PD-së
Ka marrë fund mbrëmë në orët e vona odiseja e zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Për këtë ka shërbyer përfundimi i procesit të numërimit të votave për komunën Shalë të qarkut të Shkodrës, ku pas shumë peripecish kandidati i majtë Balë Vuksani ka rezultuar në fund fitues me vetëm dy vota më shumë se kandidati i djathtë Dedë Tonaj. Për të arritur deri këtu, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është dashur dje të investohet vetë për numërimin e votave, pasi KZAZ-ja me numër 42 në Shkodër nuk mundi ta kryejë detyrën e vet për shkak të problemeve të hasura, si me praninë e deputetëve në ambientet e numërimit ashtu edhe me largimin e sekretarit të saj.
Debati
Bllokimi i procesit të numërimit të votave në KZAZ-në 42 në Shkodër ka detyruar KQZ-në që të ndërhyjë për të zhbllokuar situatën. Me iniciativë të kryetarit të saj, KQZ ka marrë në shqyrtim propozimin që numërimi i votave të bëhej në Tiranë, ndaj dhe ka urdhëruar që kutitë e votimit të silleshin nga Shkodra në Tiranë. Por para se të merrte këtë vendim mbledhja është shoqëruar me debate mes kreut të KQZ-së, Arben Ristani, dhe anëtarëve të propozuar nga opozita, të cilët kërkuan që procesi i numërimit të zhvillohej në KZAZ 42 në Shkodër. “U prishën zgjedhjet më 31 Korrik pikërisht sepse dy deputetë penguan procesin atje, janë po këta që duan të hyjnë në procesin e numërimit në mënyrë të paautorizuar dhe KZAZ punën nuk e nis së mbari por së prapthi, duke mos ngritur infrastrukturën zgjedhore, por kërkon të fusë në ambiente deputetët që kanë treguar në vazhdimësi se janë për t’i prishur zgjedhjet atje”, - tha Ristani. Ndërkohë që anëtari i majtë Pandeli Varfi, duke u përgjigjur se “në aspektin ligjor një veprim i tillë ishte i parregullt, pasi do të ishte më mirë që të zëvendësohej sekretari i cili i përket të djathtës”. Pavarësisht kësaj, me katër vota pro, Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi që kutitë e komunës Shalë të Dukagjinit të numëroheshin në Tiranë, në ambientet e KQZ-së.
Numërimi
Me ndihmën edhe të helikopterëve, KQZ ka mundur që shumë shpejt pas vendimit të paradites të sjellë në Tiranë kutitë e votimit të komunës Shalë dhe menjëherë pasdite të niste numërimin e votave. Për këtë KQZ ngriti dy grupe numërimi dhe brenda disa orëve ka mundur të nxjerrë dhe fituesin e tyre. Në përfundim, kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, Balë Vuksani, ka marrë 644 vota, pra duke marrë vetëm 2 vota më shumë se kandidati kundërshtar Dede Tonaj i Aleancës për Qytetarin, i cili siguroi vetëm 642 vota. Zgjedhjet në këtë komunë u zhvilluan për herë të tretë, pasi më parë ato kishin dështuar. Më 8 Maj votimet u shpallën të pavlefshme pas vendimit të Kolegjit, ndërkohë që procesi i përcaktuar për t’u mbajtur më 31 korrik nuk u zhvillua për shkak të problemeve dhe mosmarrëveshjeve mes komisionerëve të të dyja palëve. Ndaj të dielën e shkuar, falë edhe një pranie të madhe të policisë, zgjedhjet u zhvilluan normalisht, por procesi ngeci te numërimi. Çka u zgjidh vetëm me ndërhyrjen e KQZ-së ditën e djeshme. Kështu, me mbylljen e zgjedhjeve në këtë komunë, de fakto është mbyllur edhe i gjithë procesi zgjedhor për pushtetin vendor të 8 Majit. Tashmë, nëse nuk do të ketë ankimime, KQZ mund të shpallë në ditët në vijim dhe rezultatin final të këtyre zgjedhjeve.