E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërohen në komisariat dy organizatorët e grevës së minatorëve

Minatorët deklarojnë se, nëse kompania ACR nuk do të nënshkruajë marrëveshjen deri nesër në orën 14.00, do t’i rikthehen grevës së urisë

BULQIZE- Shoqërohen për në komisariatin e policisë së Bulqizës dy nga organizatorët e grevës së urisë së minatorëve. Greva e urisë u zhvillua për 27 ditë në nivelin e 14-të të nëntokës dhe vetëm dje minatorët u detyruan ta ndërpresin, duke zbatuar vendimin e gjykatës së Dibrës. Sipas burimeve nga policia, mësohet se në komisariat janë thirrur Dilevar Përkoxha, kryetar i sindikatës së minatorëve Bulqizë; dhe Luan Nika, kryetar i grevës së urisë. Të dy kanë qenë të pranishëm në grevën e urisë për disa ditë. Sipas policisë, ata janë shoqëruar për shkak të bllokimit të aksit nacional Tiranë-Peshkopi, te Qafa e Buallit. Pasi kanë dhënë shpjegimet e tyre, dy minatorët janë larguar.

Ndërkohë minatorët deklarojnë se, nëse kompania ACR nuk do të nënshkruajë marrëveshjen deri nesër në orën 14.00, do t’i rikthehen grevës së urisë. Këtë herë jo më nëntokë, por në ambientet e ACR-së.

Me kërkesë të Avokatit të Shtetit, gjykata urdhëroi zbrazjen e galerive, pasi ndërprerja e punës në minierë për shkak të grevës së urisë nëntokë ka krijuar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e grevistëve, si dhe shtetit shqiptar po i shkaktohen dëme të pallogaritshme ekonomike dhe financiare. Edhe dje Komisioni i Grevës la të hapur mundësinë e rifillimit të grevës së urisë. “Jemi në pritje të ACR, do të presim 2 ditë për një reagim nga firma. Të hënën do të vendosim për një grevë tjetër të dytë në rast mospërgjigjeje nga kjo firmë. Atëherë greva do të bëhet përpara mjediseve të ACR”, deklaroi dje Nikollaj.

Shoqërimi

Ndërkohë dje të paktën 10 minatorë janë thirrur nga policia lokale dhe janë pyetur në lidhje me protestat që çuan në bllokimin e rrugës nacionale si dhe ecurinë e lëvizjeve sindikaliste. Mes personave që janë thirrur në polici ka qenë edhe kryetari i këshillit sindikal të minatorëve, Dilaver Përkoxha. Ky i fundit tha pas daljes nga rajoni i policisë se është pyetur për afro dy orë në lidhje me bllokimin e rrugës nacionale si dhe cilat do të jenë veprimet e mëtejshme të minatorëve. Ndërkaq, burime të rezervuara sqarojnë se minatorët e thirrur janë pyetur cilët janë organizatorët e protestave dhe grevës së urisë. Madje, u është kërkuar të nënshkruajnë një deklaratë ku të thonë se nuk do të dalin më në protesta. Kjo është marrë si një formë presioni mbi minatorët, pasi ata pritet që sot të nisin përsëri protestat dhe grevën e urisë, por tashmë në sipërfaqe dhe jo nëntokë.

Firma

ACR u shpreh se e kishte pritur mirë nxjerrjen e minatorëve nga greva e urisë dhe se tani i hapej rrugë mundësisë për dialog me minatorët. Pronarja e Decometal që ka në administrim edhe ACR-në deklaroi se nuk do të largohej nga miniera e kromit Bulqizë. Helikopterë për të transportuar Forcat Speciale drejt Shalës Në orën 09.45 të ditës së shtunë dy helikopterë zhurmojnë mbi qytetin e Bulqizës. Ngado përhapet lajmi se drejt minierës po fluturonte pronarja e ACR-së. Ulen njëri pas tjetrit dy helikopterët në sheshin para zyrave të ACR-së. Të gjithë hapin sytë për të parë kush po zbriste. Madje gazetarët raportojnë se në Bulqizë kishte mbërritur pronarja nga Austria. Ndërkaq zyrtarët e policisë dhe ata të sindikatës ngrenë supet dhe nuk japin dot një përgjigje për misionin e helikopterëve. Pas afro gjysmë ore helikopterët ngrihen nga mjediset e ACR-së dhe zbresin në Fushën e Vajkalit, një zonë afro 2-3 kilometra larg qytetit. “Nuk ka ardhur pronarja e ACR-së”-thonë burime pranë minierës. Kjo na bën të thellohemi e të gjejmë përse kishin fluturuar nga Tirana drejt Bulqizës dy helikopterë. Burime të sigurta informacioni saktësuan se misioni i helikopterëve ishte transportimi i Forcave Speciale nga Bulqiza drejt komunës Shalë, atje ku do të mbahen zgjedhjet lokale. Pati dhe minatorë që menduan se dy helikopterët kishin fluturuar drejt Bulqizës për të frikësuar minatorët. Sapo minatorët kanë dalë nga greva e urisë furgonët e policisë kanë dërguar efektivët e planifikuar drejt helikopterëve që qëndronin në luginë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›