SHBA, Arvizu: ODIHR foli qartë, tani kryeni reformën
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë komenton raportin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet administrative të 8 Majit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë dje apel publik klasës politike në Shqipëri që të angazhohet seriozisht në kryerjen e reformës zgjedhore. Në një prononcim për median, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, vlerësoi raportin e publikuar së fundi nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it si mjaft të rëndësishëm për përcaktimin e axhendës së punës. “Mendoj se OSBE/ODIHR-i e bëri shumë të qartë se ishte një raport tërësor, i plotë dhe objektiv”, vlerësoi Arvizu. Sipas tij, pavarësisht se në vijimësi thuhet që infrastruktura ligjore në Shqipëri është e plotë dhe e mirë, zbatimi i ligjit lë për të dëshiruar. “ODIHR e bëri të qartë se ka boshllëqe dhe mangësi në ligjin elektoral dhe ai ka nevojë të përmirësohet. Këto boshllëqe kanë penguar zbatimin siç duhet të Kodit Zgjedhor. Rrjedhimisht, mendoj se fokusi kombëtar duhet të jetë tek axhenda e reformës dhe specifikisht te reformimi i Kodit Zgjedhor. Gjithashtu, është shumë i rëndësishëm zbatimi i Kodit”, insistoi Arvizu. Raporti i OSBE/ODIHR-it ka rreshtuar 27 rekomandime për autoritetet shqiptare, partitë politike dhe administratën zgjedhore. Shumica e rekomandimeve përfshijnë ato të raportit të vitit 2009, por edhe vlerësimet e opinionit të Komisionit të Venecias në të njëjtin vit. Së pari, misioni kërkon nga partitë politike që të vendosin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet zgjedhore. U kërkohet partive të bëjnë detyrën e tyre në interes të Shqipërisë duke shmangur ndërhyrjet politike. ODIHR thotë se duhet nisur menjëherë reforma zgjedhore, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa mund të rikonsiderohet formula e kompozimit të KQZ-së, duke rritur besimin te pavarësia dhe paanshmëria e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Një tjetër rekomandim është ai i përshtatjes së afateve të regjistrimit të kandidatëve me ato të printimit të fletëve të votimit apo ankimimit. OSBE/ODIHR sugjeron amendim Kodi për të sqaruar çështjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar apo kur numri i fletëve të votimit dhe votuesve është i ndryshëm. Adresimi i problemit të pavarësisë së transmetuesit publik apo të shmangies së votimit familjar janë dy prioritete të tjera. Sugjerimi tjetër është rritja e gjobës për partitë që nuk respektojnë kuotat gjinore dhe kufizimet në shpenzimet e fushatës. ODIHR thotë se duhet amenduar Kodi, duke sqaruar rolin e KQZ në raport me KZAZ, sa i takon rastit të Tiranës. Referuar një prej propozimeve kryesore në kapitullin e rekomandimeve, zëdhënësi zëvendësues i ODIHR-it, Thomas Rymer, deklaroi në një intervistë për “Mapo”-n një ditë pas publikimit të raportit, se ky dokument qartëson fushat konkrete ku u përmbushën detyrimet dhe ato ku diçka e tillë nuk u bë. “Raporti nënvizon se dy partitë kryesore politike nuk i përmbushën detyrimet e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme dhe se veprimet e shumë kundërshtuara të KQZ-së, sa i takon rezultatit për garën e kryebashkiakut në Tiranë, minuan besimin se KQZ po vepronte si një trupë jopartiake dhe e pavarur. Raporti gjithashtu pohon se pluraliteti dhe diversiteti i medieve lejoi votuesit të zgjedhin nga një numër i konsiderueshëm alternativash dhe se procesi i numërimit u vlerësua përgjithësisht pozitiv”, tha Rymer.