PS fton qytetarët në protestën e nesërme para Kryeministrisë
TIRANË - Partia Socialiste iu bëri sot thirrje qytetarëve për të marrë pjesë nesër në protestën që organizohen para Kryeministrisë. Deputetët socialistë të qarkut të Tiranës thanë se protesta ka si qëllim ndërgjegjësimin e Kryeministrit Berisha për të lejuar hapjen e kutive të votimit.
"Ftojmë në protestë, të shtunën, në orën 17:00, të gjithë ata që vazhdojnë të besojnë se qytetarët e ndershëm janë ende në shumicë dërrmuese përballë një pakice manipulatore në qeveri", tha Sajmir Tahiri, në emër të gjithë deputetëve që dolën bashkërisht në konferencë për shtyp.
"Kjo është një betejë të cilën ne dhe shumica e shqiptarëve do ta fitojmë për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane", theksoi deputeti Tahiri.
Partia Socialiste e mbështetur nga aleatët, nga disa parti të qendrës së djathtë, si dhe nga mjaft shoqata do të nisin të shtunën në kryeqytet protestat kunder manipulimit te rezultatit të zgjedhjeve. Më para Rama ka deklaruar se ky është vetëm fillimi dhe nëse Kryeministri nuk i bindet vullnetit të shumicës së majtë për të zbardhur zgjedhjet e 28 qershorit, protestat do të vazhdojnë në gjithë vendin.