PS-ja e Edit emërtohet neodiktaturë nga të vetët
Gjyshi im, në mungesë të frigoriferit, e ftohte ujët në pusin që kishte në oborr. Por aty pranë ndodheshin edhe disa shtamba të tjera. Kur e pyesnin nipërit e mbesat, kalamaj, se përse ishin ato, ai u thoshte se shtambat ndonjëherë dilnin nga pusi të thyera. Ata që i shfletojnë fjalorët shpjegues, gjejnë edhe një lokucion: „Shumë herë vete shtamba për ujë, por disa herë thyhet (f.1191). Edi Ramës i ka ecur fati në politikë, sidomos kur e ndërroi qëndrimin në të kundërt dhe kur, më tej, paçka se i vonët në anëtarësinë partiake, ia arriti që të bëhej kryetar i asaj partie, të cilën e kishte mallkuar se duhej të dilte jashtë ligjit! Ishte koha kur ZP-në e quante me shpotí, “Zuska Plakë”, duke u nisur nga fillestaret e shkronjave (Tani është bash ai “Zëri i Popullit” që ia mbulon broçkullat e skandalet, me përligjjen e marrëzive fëminore, të rinisë dhe të moshës madhore.
E dribloi nenin 28 të partisë së tij, e portretizoi si të tmerrshme periudhën tetëvjeçare pas ’97-s gjer në 2005-n, kur PS-ja e humbi pushtetin dhe ky, i vonët në PS, arriti të bëhej kryetar partie. PS-ja e asaj kohe nuk ishte e TIJ. Kështu që ai i jepte të drejtën vetes ta quante atë hark kohor si të pasuksesshëm, si të trafiqeve të drogës e të mishit të bardhë, si të skafeve ilegale... etj. etj. dhe të përfundonte: “E kishim me hak që e humbëm pushtetin”.
Meqë shtamba hynte dhe dilte për bukuri, i shtoi së tepërmi ekzaltimet dhe vetëmburrjet i mbushën faqet e “Kurbanit”. Për kohën që kishte pas qenë ministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve, do të bënte mirë të mos shkruante fare për atë kohë në librin e tij “Kurban”. Sepse jo vetëm që s’pati asnjë aktivitet, por u bë i padurueshëm për këngëtarët, kërcimtarët, skulptorët e piktorët. Sot mahnitemi nga “Gjeniu i vogël” dhe nga artistët shqiptarë që kanë mbetur këtu, por edhe nga ata që kanë ardhur nga jashtë, që janë bërë të famshëm në skenat botërore. Tanimë konkurrimet pasojnë njëra-tjetrën. Po atëherë? Asgjë prej asgjëje!
Megjithatë ka kurajën të shkruajë edhe për atë kohë kur artistët, tërësisht, u futën në grevën e urisë dhe vunë firmat, bashkërisht, në një peticion protestues. Policia i nxori nga greva, duke i gjymtuar. Disa u paralizuan nga shkopinjtë e thurur me fije çeliku. Ja ç’thotë Edi për atë kohë: -“Kisha dëgjuar shumë fyerje e të shara nga opozita e kohës, por edhe nga disa aktorë e muzikantë që kundërshtuan reformën (!) time për teatrin deri në një grevë patetike urie, nën tingujt e korit të skllevërve të Aidës, por kurrë, asnjëherë, jo vetëm s’m’i kishin zënë veshët të atilla perversitete monstruoze, po as kisha imagjinuar se mund t’i dëgjoja ndonjëherë, për më tepër në publik dhe aq më shumë të palluara ashtu, ujqërisht, përpara një turme të shkalluar në shkallët e Pallatit të Sportit e një populli të tërë para ekranit...”. (f. 35). Turmë e shkalluar, aria e Verdit, ujqërisht, të palluara... Por nuk thotë dot makina të djegura, gurë dhe kalldrëme të shkallmuara në bulevard, porta e hekurt e shembur me makinë, para Kryeministrisë...
***
Një majtiste e njohur në shkrime, Brizida Gjikondi, duke i dalë në përkrahje E. Braçes, del në anë të tij dhe i vërsulur ashpërsisht E. Ramës. Përzgjedhjen e këtij të kandidaturave e quan ‘ një realitet diktatorial politik’. Ajo përmend emra të shumtë, duke iu drejtuar E. Ramës: “Ti shkon me mendjen e I. Metës, apo të Pashait të kudondodhur, 2K-së?”. Kryetarin e PS-së e quan me ironi “Zeusi mbi tokë”. E përmend edhe si të pabesë. Shkruesja e quan veten si të ‘popullit të majtë’ dhe e përflet keqbërësin ndaj Braçes si njeri që s’ka moral. “Qasja juaj ndaj biznesmenëve, ose burrave me probleme në shtyllë kurrizore, qasja juaj ndaj grave gri, lule një sezonale, ose flutura, mua nuk më çudit fare. Do më çudiste e kundërta, dhe ishit ju që me insistim me betejat tuaja të tredhura ma krijuat këtë mendim fiks”.- vazhdon B. Gjikondi. I. Gjoni. e vlerëson PS-në e Ramës, si një kooperativ tipit të ulët. “Qyqari nuk e di se fisi e miqësia ime nga veriu ne jug mund ta mbysin vetëm me pështymë, pavarësisht gjatësisë së tij”, - shprehet Gjoni.
Ndërsa Kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali, në një reagim në rrjetin social Facebook për öështjet e listave, shprehet se ndjehet e shqetësuar jo për mos kandidimin e saj, por për mos përfshirjen e të rinjve. “Si Kryetare e FRESSH-it, shpreh keqardhjen dhe indinjatën time për faktin se mijëra te rinj idealistë, dinjitozë, seriozë, atyre vete u është ngushtuar hapësira për të garuar dhe përfaqësuar, dhe as nuk do kenë model te tyre përfaqësimi. Dritan Prifti: “Partia Socialiste do te marre dy mandate me pak sesa viti 2009. Kishte 9 ne Fier do te marrë 7.
Malaj: Mandati im do te jete për të mbrojtur PS-në nga neodiktatorët - Ish-deputeti i PS-së, Arben Malaj, në prezantimin e pare si i pavarur, në të cilin mori pjese dhe ish-kreu i PS-se, Fatos Nano, u shpreh se “mandati që do të marr ne Vlore do te jetë për te mbrojtur atë nga neodiktatorët. Tha, më tej, se “është në shërbim te socialistëve për te mbrojtur PS-në nga tendencat neodiktatoriale”. Ai vazhdoi se po paguan çmimin e kritikave që kanë bërë për të mirën e PS-së disa nga idetë për mendimin ndryshe, që në thelb kërkonin demokratizimin e PS-së, që tashmë po shiten si ide te kopjuara.
Këto, dhe shumë të tjera si këto, dëshmojnë se shtamba e Ramës ka marrë krisje. Thyerjen do ta pësojë më 23 qershor. Të rinjtë dhe të rejat e Spiropalit janë, tashmë, të revoltuar me pabesinë e Ramës. Partia e tij privohet, kështu, nga votat e të rinjve, të tradhtuar. Hiq edhe votat që do të qethen nga veprimtaria e Nanos në favor të A. Malajt dhe do të vërtetohet ajo që ka thënë K. Islami prej kohësh: “Sa të jetë Rama në krye, ai do të mbetet gjithnjë në opozitë. Do të thotë se ia vodhën votat? Me këtë shabllon bajat janë mësuar, tanimë, shqiptarët.