Vlora do rreshtohet me alternativën e punësimit, jo me betonin e Ramës
Përurohet nisja e punimeve për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave në Orikum. Investimet në bregdet, në qendër të mandatit të tretë të kryeministrit Berisha, i cili ka prezantuar alternativën e punësimit, si oferta më e mirë, përkundrejt betonit që ofron Rama dhe kryetari i tij shpirtëror, Kokëdhima
Kënga himariote që stigmatizon betonin: “Himarës kush ia lidhi sinë/Koçua inë”
Nga Orikumi ku inauguroi fillimin e punimeve për impiantin e ujërave të zeza, kryeministri Berisha deklaroi se kryesocialisti Edi Rama duhet të kandidonte në Tiranë pasi atje ndodhet selia e partisë dhe jo në Vlorë. “Është normale që kryetari i partisë, meqenëse selia është në Tiranë, të kandidojë në qarkun ku është selia e partisë. Por nuk është ndonjë mëkat i madh, se puna e trimërisë herë të jepet dhe herë nuk të jepet, herë e ke dhe here nuk e ke. Kështu që frikë pati të matej në Tiranë, ndonëse mandatin e fitonte me siguri, si kreu i listës. Ai erdhi në Vlorë. Socialistët vlonjatë janë të kënaqur, por kam një fjalë për ta: nuk erdhi Rama, erdhi Koçua!”, deklaroi Berisha. Ironisë së kryeministrit nuk i shpëtoi as kandidati surprizë në listat e Partisë Socialiste për këtë qark, Koco Kokëdhima. “Unë nuk ndërhyj në punët e brendshme të Partisë Socialiste, por një gjë do t’jua them: të të sjellë Koço Kokëdhima këtu, është jashtëzakonisht e rëndë. Zotin Rama në Vlorë e ka sjellë Koçua. Sepse Koçua në Tiranë njihet si menaxheri shpirtëror i zotit Rama; njihet si njeriu që fitonte të gjitha tenderët e rrugëve, të cilave u binte asfalti brenda tetë muajve; njihet si njeriu që fitonte tenderët e rindërtimit të shkollave dhe atyre u binin tavanet edhe fëmijët përfundonin në spitale, mos harroni skenat në televizione. Koçua njihet si njeriu, i cili të gjitha reklamat e qytetit i kishte pronë të tijën dhe nuk i paguante bashkisë as edhe një taksë të vetme. Koçua njihet në Tiranë si personi që i detyrohet arkës së bashkisë disa milionë euro detyrime fiskale. Koçua që e solli zotin Rama këtu, nuk e solli për ndonjë dashuri që ka për Vlorën, por e solli për pasionin e tij të çmendur për beton dhe brigjet e Vlorës. Cilitdo socialist që vë në dyshim këtë fjalë timen, i them miqësisht: shko në Himarë. Himariotët këndojnë këngën – Himarës, kush ia lidhi sytë? Koçua ynë! Shkoni dhe shihni se si i ka ndërtuar dy pallate gjigante në mes të Himarës dhe i ka zënë detin qytetit më të mirë, qytetit më të mrekullueshëm të Shqipërisë dhe mbarë brigjeve të Mesdheut. Edi Rama nuk solli në Vlorë pallatin në pajë, por erdhi në pajën e Koços dhe erdhi këtu për llogari të Koços”.
Këto deklarata kryeministri Berisha i bëri gjatë inaugurimit të fillimeve të punimeve për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit të ndotura në Bashkinë e Orikumit. Impianti me vlerë 16 milionë dollarë është financim i Bankës Islamike për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare. Projekti nis me shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, vijon me atë të kanalizimeve dhe të trajtimit të ujit të ndotur për popullsinë prej 15.000 banorësh që jeton aktualisht në Orikum, dhe që parashikon një kapacitet të mundshëm sistemesh deri në 60.000 banorë, përfshirë këtu edhe fluksin turistik.
Ky impiant pritet të përfundojë në dhjetor të vitit të ardhshëm. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u premtoi banorëve të Orikumit se qeveria do të ndërtojmë rrugën Orikum – Kepi i Gjuzës, e cila sipas tij dyfishon në të vërtetë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të qytetit të Vlorës. Një tjetër premtim I kryeministrit Berisha ishte dhe ai për një projekt mbi të cilin qeveria po punon, përmes të cilit synon t’i paraqesë tregut botëror Orikumin, Vlorën, Nartën, Zvërnecin, Karaburunin dhe Sazanin si kompleksin natyror në të bukur në Evropë, për të tërhequr investime të mëdha”.
Ndërkaq gjatë viteve 2005 – 2012 janë investuan 55 miliardë lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shëngjin-Lezhë, Shirokë, Velipojë, Vlorë dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Shkodra etj.