Shpëtimi përtej Ramës
Nëse dikush rrezikon të shfryjë erën anti- Berishë që po ngrihet prej disa kohësh, ai është Edi Rama. Lëvizja e tij e fundit në këtë drejtim qe 6 maji, dita kur të gjitha partitë shfaqën në vitrinë ekipet e tyre të ardhshme. Pikërisht këtë moment pritej që projektorët e kritikës të drejtoheshin nga partia e kryeministrit. Pikërisht në këtë moment mendohej se shija e hidhur që i la njerëzve aleanca e paarsyetuar Meta- Rama, të fashitej, sepse, ashtu siç ndodh rëndom, Berisha do të bënte me keq.
Lideri i PD-së nuk i zhgënjeu parashikuesit. Lista e tij është një mishmash i pavlerë, ku ndihet hapur mbingopja nga pushteti, imoraliteti në kërkesën për ta mbajtur atë, si dhe lodhja për të arsyetuar qoftë edhe sipërfaqësisht të shkuarën e afërt. Në këtë kuptim, 6 maji mund të qe dita e revanshit për opozitarët e majtë. Në këtë kuptim, e hëna e shkuar duhej të qe moment i reflektimit edhe për ata njerëz që i kanë shpëtuar trushpëlarjes së partive dhe mund të ngrinin disa pyetje?
Me çmoral po shkon në zgjedhje Sali Berisha duke qenë në koalicion të vazhdueshëm me ata që i konsideronte si Klani i Zemunit? A ka kuptim që ai të dojë të vazhdojë të qeverisë këtë vend, duke shpresuar të mbledhë si lypsar edhe votat e Dukës së krimit? Këto nuk do të qenë pyetjet e vetme që do të gëlonin mëngjesin e 7 majit. Sepse në listën e PD-së imoraliteti nuk përfundon këtu. Aty gjenden në një grup ramizistë të thekur si Lufter Xhuveli (pamjet e të cilit duke u përqafuar me udhëheqësin e fundit komunist janë shfaqur së fundmi në YouTube), homofobë të deklaruar si Ekrem Spahia, ish- drejtorë doganash si Shpëtim Idrizi dhe ambientalistë të konvertuar pas Gërdecit si Fatmir Mediu. Por, në të njëjtën listë gjenden edhe tre socialistët Islami, Dogjani e Kadeli që e mbajtën deri në fund në këmbë qeverinë e Doktorit. Dy prej tyre kishin sakrifikuar dy vite më parë stomakun dhe rehatin, në emër të një kauze të shpikur, vetëm e vetëm që të rrëzonin Saliun. Po ata, u akuzuan se rekrutuan kontigjente kriminale për ti çuar si mish për top (kështu thonë PD-istët) në masakrën e 21 janarit. Ata sot janë në listën e demokratëve.
Në të njëjtën listë ku mungojnë edhe të vetmet zëra që skanë guxuar kurrë, po kurrë, të votojnë kundër partisë së tyre në parlament, por vetëm kanë mëtuar, herë pas here, të dalin pa pyetur ne media për ta mbrojtur atë. Përjashtimi i Mark Markut dhe Selami Xhepës, të cilët pasi i dolën zot publikisht tezave të Berishës, kanë thënë ndonjëherë edhe mendimin e tyre të ndryshëm, ishte sinjali më i keq për të gjithë në këtë 7 maj. Ai ishte rasti për të parë edhe njëherë se cila është partia më e mbyllur dhe më e atrofizuar në vend.
Por, në turravrapin e tij për ti rrëmbyer Berishës shkëlqimin në të keq, Edi Rama arriti ti privojë shqiptarët nga ky spektakël. Ashtu si Berisha, ai përjashtoi nga listat edhe ata socialistë 100 karatesh, që e kishin kritikuar vetëm në forume dhe asnjëherë publikisht (a nuk është kjo gjëja që ju ka kërkuar vetë) por, mbi të gjitha, konfirmoi edhe faktin se era e zërave kundër në PS ka përfunduar. Largimi i Arben Malajt ishte episodi i fundit i një vlere me të cilën socialistët janë mburrur dhe kanë ditur të dalin fitues në vite.
Megjithatë ndoshta vetëm kjo do të qe e pamjaftueshme për ti bërë hije Berishës në këtë galop brenda së keqes. Sepse surpriza e listës Rama ishte kandidimi në ekipin e deputetëve të Vlorës e gurusë, klientit dhe njëkohësisht njeriut të pandashëm të tij: Koço Kokëdhimës. Me këtë vendim që e mbajti të fshehur gjer në minutën e fundit, Rama rriskon tu japë shumë kosto socialistëve. Ai do të rigjallërojë edhe njëherë akuzat për një PS-ë të mbushur me kapitalistë, pikërisht në kohën kur forca e tij po bën fushatë për një rishpërndarje të pasurisë dhe për më shumë vëmendje për shtresat në nevojë. Ai do të rikujtojë të gjitha akuzat e fashitura ndaj tij, ato që e bënë që të arrinte rezultatin më të keq ndonjëherë në Tiranë, duke fituar vetëm me dhjetë vota. Imponimi në politikë i lidhjes së tij okulte me Kokëdhimën, do ta bëjë Berishën që të rimarrë nga fillimi akuzat për privatizimin e gazetës Sporti, për lejet e ndërtimit në Tiranë, për biznesin e billboard-eve, duke sjellë në qendër të vëmendjes një periudhë të errët të Ramës, që po fillonte të fashitej. Nuk ka asnjë diskutim që pas vendimit për kandidimin e Kokëdhimës, Berishës iu dha në dorë një kalë tjetër beteje, që i shoqëruar me mashtrimet dhe gjysëm të vërtetat që ai di ti pleksë mjeshtërisht, mund të shndërrohen në një bombë të vërtetë elektorale. Edhe njëherë këtë 6 maj, Edi Rama i la në dorë kundërshtarit të tij armët më të mira që kish mundësi, për të luftuar atë vetë dhe socialistët. Në këtë kuptim, ai po përsërit me kokëfortësi dhe arrogancë një pjesë të gabimeve të fushatës së 2009-ës. Edhe njëherë ai po rrezikon të bëhet jo atu-ja, por problemi i socialistëve, të cilët po detyrohen deri në vetëmohim të durojnë pasiguritë dhe kapriçiot e liderit. Ndoshta duke shpresuar se këtë herë lodhja dhe zemërimi me Berishën do të jenë më të forta se amatorizmi i kreut të tyre.
