E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja feston 20-vjetorin e krijimit të saj

Nën trokitjen e gotave dhe me sytë e veshët nga Kolegji, PS-ja ka mbushur sot 20 vjeç. Për herë të parë që pas themelimit me emrin e ri partia më e madhe ka festuar ditëlindjen me ankthin e pritjes së një vendimi kaq të rëndësishëm, vendimin për fatin e kryetarit të saj: Kryetar bashkie apo vetëm kryeopozitar.
Ora 19:00 ka mbledhur në hotel “Sheraton” kreun e kësaj parte, Edi Rama, deputetë e ish deputetë, aleatë politikë të PS, të sapozgjedhurit e pushtetit vendor, figura të njohura të shoqërisë, diplomatë të akredituar në Tiranë si dhe përfaqësues të mediave në një festë madhështore.
Por festës së socialistëve i ka munguar ish-kryetari i parë dhe ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano për të cilin nga PS-ja u konfirmua se nuk ishte dërguar ftesë. Edhe vetë zoti Nano deklaroi se asnjë zarf me emrin e tij sipër nuk kishte mbërritur në adresë të tij nga selia rozë.
Në event nuk ka qënë i pranishëm as themeluesi tjetër i PS-së, Ilir Meta. Festës rozë nuk i ka munguar as torta rozë, mbi të cilën është shkruar dallueshëm 20 vjetori i themelimit të PS-së ndërsa e gjithë mbrëmja është shoqëruar nga një bandë muzikore.
Por mes gjithë këtyre buzëqeshjeve, socialistët sërish kanë një merak, vendimin që do të japë të hënën në orën 10:00 Kolegji zgjedhor, për kërkesë padinë e depozituar për rezultatin e garës për bashkinë e Tiranës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›