E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja ka krijuar alergji për ligjin dhe demokracinë

29-06-2011 / Redaksionale

Shumë persona vuajnë nga ndonjë alergji lidhur me ushqimet, detergjentët, metalet, kafshët. Por të kesh alergji për gjuhën mohuese të Partisë Socialiste është mëse e kuptueshme. Mos u çudisni nga ky fakt. Sipas të dhënave të fundit të opinionit publik llogaritet një numër i madh qytetarësh që vuajnë ndonjë formë e alergjisë ose intolerancës ndaj konferencave për shtyp të Partisë Socialiste. Fakti që Partia Socialiste nuk heq dorë, por këmbëngul në fitoren e kandidatit të saj për bashkinë e Tiranës vetëm sepse një televizion pranë saj e shpall fitues me 10 vota është një dhembje barku, që vjen jo nga e qeshura. Shumë persona, në fakt, ia atribuojnë një alergjie simptomat që nuk arrijnë t’i shpjegojnë në tjetër mënyrë. Është alergjia nga humbja, e cila shkakton një reaksion të dhunshëm verbal të Partisë Socialiste, për llogari të Edi Ramës.
Dje, nusja e Gjallicës Olta Xhaçka tha se “Ne nuk e njohim dhe kurrë nuk kemi për ta njohur këtë vendim, që nuk buron nga vullneti i zgjedhësve, por veç nga vullneti dhe skemat manipuluese të Sali Berishës. E pa i madh e i vogël sesa haptazi e në ç’ mënyrë primitive u cënua integriteti i kutive të votimit për të manipuluar votat në favor të Lulzim Bashës. E pa i madh e i vogël sesi në pjesën më të madhe të kutive mungonte kodi i pestë, pikërisht ai kod që mbyll hapësirën nga ku zgjedhësit hedhin fletët në kuti”.
Mirëpo përtej hartimit të kuptueshëm, të cilin shumë deputetë të tjerë e kanë lexuar përpara saj, asgjë e re në horizont. Argumentet mungojnë, si gjithmonë. Socialistët thonë se se do të ndjekin rrugën ligjore sepse populli e përkrah në protesta. PS-ja thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është e Saliut (Sali Berisha), por PS-ja bën ankesa recidive tek KQZ-ja edhe pse s’e beson. Thagmë! Deputetët socialistë shprehen nëpër media Kolegji Zgjedhor është tek e fundit në presionin e Berishës, por apelon për të tretën herë në këtë gjykatë. Ed Rama dhe megafonat e tij thonë se, i pranojnë vendimet e KQZ-së apo/dhe Kolegjit nëse japin fitoren e kandidatit të PS-së. Mirëpo nëse Partia Socialiste nuk beson tek institucionet, përse vallë bëhet qepaze duke apeluar të pamundurën? Serioziteti në këtë parti është diçka që ka humbur qëkurse politika bëhet me parulla revolucionare.
Sakaq integriteti i votave nuk është cenuar aspak. Gjithçka është bërë në konform të procedurave ligjore. Kolegji Zgjedhor ka sqaruar shumë saktë procedurën e zbatuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi i tre ditëve më parë i KQZ-së thekson se u konstatua se 8 kuti në momentin e transportit të tyre, ishin dëmtuar fizikisht në përmasa të ndryshme. Nga ana e Partisë Socialiste u kërkua që të mos hapeshin këto kuti, për shkak se ishte cenuar integriteti i tyre. “...KQZ-ja kreu rast pas rasti eksperimentin nëse, pa e dëmtuar më tej kutinë, bëhej e mundur nxjerrja e materialit zgjedhor apo futja në kuti e materialeve të tjera zgjedhore”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Po kështu dy vendimet e njëpasnjëshme të Gjykatës hedhin poshtë çdo pretendimin ligjor të PS-së, kurse pretendimet politike nuk mund të hidhen poshtë kur janë fjalë boshe, për konsum të zakonshëm mediatik, që Partia Socialiste mban të ndezur militantët dhe simpatizantët e demonstrative dhe revoltave popullore. Sa për Kodin e 5-të është stërthënë, që është i pamundur të mos ekzistojë, dhe për më tepër është e pamundur të tjetërsohet. Është shënuar që në qendrën e votimit, dhe është shënuar në procesverbale gjithashtu. Kodi i pestë është shënuar në dy dokumente zgjedhore të firmosura nga komisionarët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, çka vërteton më së miri zbatimin me rigorozitet të ligjit. Kodi i pestë vendoset pasi mbyllen kutitë e votimit dhe pas këtij procesi nuk ka arsye për tu hequr as nga numëruesit të cilët për të hapur kutinë heqin vetëm katër kodet e tjera të saj. Për sa PS ngre pretendimin që ka të bëjë me kodin e pestë besoj se është një nga kodet më të sigurta që mban kutia e votimit. Është një kod i cili mbyll pjesën hyrëse ku futen fletët e votimit dhe pas këtij procesi nuk ka asnjë arsye për t’u hequr. Ky kod është i shënuar në dy dokumente zgjedhore, përkatësisht në procesverbalin e mbylljes së kutisë së votimit dhe në librin e protokollit të Komisionit së qendrës së votimit. Kësisoj janë krejtësisht të pabaza dhe akuzat e socialistëve lidhur me raportimin e numrit të fletëve të votimit në tabelat përkatëse. Sigurisht në një proces të tillë kaq kompleks, me katër kuti dhe 250 mijë votues, gabimet njerëzore janë të paevitueshme.
Sidoqoftë Partia Socialiste po tregon se ka një alergji të madhe për procedurat ligjore, për hapjen e kutive, për vendimet e Gjykatave dhe për zbatimin e tyre. Në të vërtetë është një alergji, një reaksion ndaj vetë demokracisë, sepse demokracia është procedurë. Si e tillë është e zorshme, sepse kërkon respektimin e ligjit, rregullave dhe kodeve etike për të cilat merren vesh grupet e organizuara politike dhe ato të shoqërisë civile. Qytetarët kanë dëshmuar një kulturë demokratike në kuadër të procesit zgjedhor, por të kundërtën e saj e kanë dëshmuar socialistët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›