E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krokodili dhe krimet e Brigadave të Kuqe

29-06-2011 / Nga Ilirian Dahri

Atentatet e Brigadave të Kuqe të së majtës  vazhdonin të shqetësonin Italinë. Por atentati më i rëndë ishte ai i 2 qershorit. Ndërsa shkonte, si çdo mëngjes në gazetë, Montanelli u plagos në këmbë nga Brigadat e Kuqe, në Milano. Me një pistoletë pa zhurmë (7.65)  prej të cilës  dolën 7 plumbat e karikatorit që e qëlluan dy herë në këmbën e djathtë, dhe  një herë në këmbën e majtë (sipas praktikës së atëhershme të Brigadave të Kuqe). Atentatori, përpara se ta qëllojë, e pyet nga pas shpine, nëse ishte ai Indro Montanelli, duke hapur ndërkaq zjarr ndërsa gazetari kthehej për t’u përgjigjur. I plagosur, Montanelli, nuk deshi të nxirrte pistoletën që mbante me vete, por u mundua të rrinte më këmbë, duke i thirrur “Frikacakë, frikacakë” atentatorit dhe shokut të tij që po iknin me shpejtësi. Vetë organi kryesor i të majtës italiane L’Unita, botoi lajmin në faqe të parë, me titullin Montaneli i plagosur me pistoletë në një atentat të “brigadave të kuqe”. Po kjo Brigadë e Kuqe kishte plagosur (përsëri në këmbë) dy ditë më parë nëndrejtorin e gazetës Shekulli XIX, Viktorio Bruno, ndërsa një ditë më pas drejtorin e lajmeve kryesore të RAI-t (TG1) Emilio Rosi. Edhe herë të tjera, gazetari, historiani dhe shkrimtari, Indro Montanelli,  ishte përballur me rreziqet (u plagos edhe kur ishte Komandant i batalionit Askari në Etiopi). Në të vërtetë ishte një person shumë aktiv, kishte filluar gazetarinë  në Paris, dhe merrej me kronikat e zeza në gazetën Paris - Soir. Kishte shkruar për fashizmin: “Nuk do të dominojmë, nëse nuk do të kemi ndërgjegjen e saktë të një superioriteti fatal. Me negrët nuk mund të vëllazërohet. Nuk mundet dhe nuk duhet. Ose të paktën deri sa t’u jepet qytetërim”. Në 1939 kishte ardhur në Shqipëri dhe në të njëjtin vit takon Hitlerin në Gjermani të cilin e përshkruan në librin - intervistë “Dëshmitari”. Mik i ngushtë me Dino Buxatin. Një foto e tij e famshme e tregon me makinën e shkrimit në ditët e Revolucionit hungarez të vitit 1956 me të cilën shkruante shkrimet e tij (nuk do ta braktiste kurrë). I burgosur, në Gallarate pastaj në Shën Vitore  (këtu frymëzohet edhe për  tregimin Gjenerali Della Rovere). Një tregim aq i bukur që pëlqehej shumë edhe nga nobelisti Markez. Në fakt, shumë vite më parë shkrimtari kolumbian Gabriel Garcia Markez i përgjigjej me durim pyetjeve të një miku të tij (Plinio Mendoza), i cili kërkonte që të shkruante një libër mbi nobelistin. Vetëm tek njëra prej pyetjeve hezitoi pak, filloi të shihte jashtë dritares dhe qëndroi në heshtje. Pyetja ishte: “Gabo, a ka ndonjë histori të ndonjë tjetri që do të doje ta kishe shkruajtur ti?”. Kur pa heshtjen e mikut, Plinio mendoi të kalonte tek pyetja tjetër (pati frikë se mos kishte thyer një rregull të letërsisë: “mos duaj historinë e tjetrit”), Markez doli nga heshtja dhe u përgjigj: “Po, ka një histori që do të doja ta shkruaja unë, është Gjenerali Della Rovere”. Një libër ky i Indro Montanellit, historia e një mashtruesi që hiqet si një oficer i rangut të lartë për të spiunuar, (për llogari të gjermanëve),  në burgun e Shën Vitores. Në fund, pati një rikthim të dinjitetit personal dhe të krenarisë patriotike, dhe kryen një akt të madh heroizmi. Një tregim i shkëlqyer i shkruar nga i vetmi gazetar që mund të ishte edhe një shkrimtar shumë i mirë siç vërtetohet edhe nga përgjigja e nobelistit Markez. Ky gazetar, historian dhe shkrimtar me një emër që babai i tij i vendosi duke marrë shkas nga hyjnia hindu Indra, e përshtatur në Indro, por që më vonë shokët ja përshtatën në Cilindro (pra me nofkën Cilindër) është me të vërtetë një nga figurat më të shquara të kulturës italiane. Edhe kontaktet dhe miqësia e tij me Berluskonin mund të përmblidhet kështu: një i ri sipërmarrës nga Milano, i specializuar në ndërtime dhe televizion, ndihmon një gazetar të njohur, duke i shpëtuar gazetën që është në prag të falimentimit. Historia zgjat rreth 20 vjet, madje Montaneli ishte një prej njerëzve më të afërt që u ndodh me Berluskonin kur ky i fundit humbi të atin. Kujton Montanelli: “Silvio u dëshpërua shumë për vdekjen e babait. E pashë të qante si një hardhi e prerë. Ndonjë ditë më vonë, duke më folur për të, më tha: ‘Tani e tutje babai im je ti”’. Ose, kur Berluskoni dhe Montanelli janë duke ngrënë drekë dhe ky i fundit i thotë: “Kam në sirtar krokodilin tënd”. Ndërsa Berluskoni: “Do të më pëlqente ta lexoja”. Montanelli i thotë jo. Krokodili (në Itali, skeda të parapërgatitura në gazetari që shoqërojnë vdekjen e një personi të shquar, ose në kuptimin e lotëve të krokodilit që qan për të vegjlit pasi i ka ngrënë). Por Krokodilin në të vërtetë Silvio Berluskoni e lexoi, jo të tijin natyrisht, por të vetë Montanelit. Njeriu që dhjetë vjet më parë nuk kishte pranuar nga presidenti i atëhershëm i Italisë (Francesko Kosiga) titullin senator i përjetshëm u shua në Milano, në vitin 2001 (në të njëjtën klinikë ku kishte vdekur edhe Buxati, La Madonnina). Por njeriu i shquar i kulturës italiane (që edhe pse nuk besonte, ishte lutur për nënën bashkë me Papa Gjon Palin II në një darkë, i ftuar prej vetë Papës) nuk lejoi që dikush tjetër t’i shkruante Krokodilin. Një ditë pas vdekjes në Corriere della Sera, në faqen e parë botohet Krokodili i shkruar nga vetë Montaneli disa ditë para vdekjes së vet. “Duke mbërritur në fund të ekzistencës së gjatë dhe plot peripeci – Indro Montaneli - gazetar-Fucecchio 1909, Milano 2001- largohet nga lexuesit e tij duke i falenderuar për dashurinë dhe besimin me të cilin e kanë ndjekur”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›