E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja para Kryeministrisë, PD-ja në sheshin “Skënderbej”

24/06/2009  Dy forcat kryesore mbyllin fushatën në Tiranë në të njëjtën ditë dhe orë

LSI përmbyll takimet elektorale më 25 qershor në kryeqytet

Demokratët dhe socialistët do të matin forcat në sheshet e kryeqytetit dy ditë përpara datës kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Ashtu si dhe në vitin 2005, dy forcat kryesore në vend kanë zgjedhur që mitingjet përmbyllëse të fushatës elektorale për parlamentarët e 28 qershorit t’i organizojnë në të njëjtën ditë, madje në orare të përafërta me njëri-tjetrin, natyrisht që sheshet do të jenë të ndryshme.

Fushata

Partia Socialiste ka zgjedhur sheshin përpara godinës së Kryeministrisë për të organizuar mitingun e saj të fundit për këtë fushatë elektorale, duke mbyllur në këtë mënyrë të gjitha takimet e saj në kuadër të garës së ethshme për zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana e saj Partia Demokratike, ashtu sikundër ka vepruar tradicionalisht që çdo fund fushate të mbledhë mbështetësit e saj në sheshin “Skënderbej”, ka preferuar që dhe kësaj here të mos e braktisë një traditë të tillë, duke i ftuar ata në datën 26 qershor të mblidhen në orën 19:00 në këtë shesh. Ndërsa socialistët do të mblidhen në sheshin përpara Kryeministrisë në orën 19:30. Kësisoj, dy mitingjet jo vetëm që do të jenë në një rreze jo të largët me njëri-tjetri, por të zhvillohen pothuajse në të njëjtin interval kohor. Por ndryshe nga hapja e fushatës zyrtare elektorale, lidershipi i PS-së ka vendosur që në mbylljen e saj të ftojë dhe aleatët, pjesë e koalicionit “Bashkë për Ndryshim”. Organizatorët kanë vendosur mënyrën se si do të ideohet ky miting, i cili për më tepër do të përpiqet të triumfojë mbi atë të kundërshtarit. Kështu, pritet që pankartat e Partisë Socialiste, me mesazhet që nuk kanë reshtur se reklamuara gjatë gjithë këtyre ditëve, ku mbi të gjitha apelojnë për të votuar PS-në, pritet të mbizotërojnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por dhe demokratët nga ana e tyre nuk do t’i kursejnë këto thirrje përmes pankartave të ideuara nga organizatorët e fushatës. Thënë shkurt, kryeqyteti në datën 26 qershor do të jetë i veshur me ngjyrat e flamujve të këtyre dy forcave politike.

Mitingu i LSI-së

Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë mitingun e saj përmbyllës në Tiranë më datën 25 qershor në sheshin “Skënderbej”. Mesa duket, në gjykimin e drejtuesve të kësaj partie nuk mund të konceptohet mbyllja e fushatës elektorale në një shesh tjetër veç atij “Skënderbej”. E kushtëzuar nga prenotimi i tij më 26 nga PD-ja, LSI-ja është e detyruar ta zhvillojë atë më datën 25 qershor.

Hapja e fushatës

Partia Socialiste në hapjen e fushatës elektorale zgjodhi të luajë me kartën e ndryshimit të vitit 1991, për vetë faktin se mitingu u organizua në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti. Për herë të parë në tërë këta vjet sheshi “Demokracia” është mbushur me përkrahës të së majtës, të cilët kanë dëgjuar folësit në miting teksa flisnin për ditët e lavdishme të nëntorit të vitit 1990. Pikërisht për këtë arsye, përpara daljes në podium të kreut socialist Edi Rama, për pjesëmarrësit u transmetua një insert me zhvillimet e atyre viteve. Por dokumentare të tilla, ku ndër të tjera në to përfshihet dhe rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, jo në pak raste janë përdorur nga kampi i djathtë.

PS–PD më 2005-n

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike në mitingun e fundit për fushatën elektorale të vitit 2005, kur u mbajtën zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, ishin të pozicionuara në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë në dy sheshe të ndryshme: socialistët në sheshin “Nënë Tereza”, demokratët në sheshin “Skënderbej”. E në fakt, nëse do të niseshim nga pjesëmarrja e militantëve dhe mbështetësve të këtyre dy forcave politike në këto mitingje, prania e një numri të madh njerëzish në sheshin “Skënderbej” krahasuar me pjesëmarrjen në sheshin tjetër, jepte sinjale të qarta për atë çfarë do të ndodhte pas ditës së votimeve, që u kurorëzuar me fitoren e të djathtëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›