E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja shenon rekordin e lekundshmerise ne argumentet ndaj Kolegjit

Partia Socialiste shënon rekordin e lëkundshmërisë dhe mosbesimit në argumentet e saj juridike për kërkesat e saj në Kolegjin Zgjedhor të Apelit, lëkundje që vjen sipas trupës gjyqësore që shorti përcakton për të shqyrtuar paditë e saj.

Pasi tërhoqi te mërkurën kërkesën në gjykatën zgjedhore për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të Tiranës, selia rozë i është rikthyer dëshirës për shqyrtimin e pavlefshmërisë nga Kolegji vetëm një ditë më pas, kur trupa me relatorë Sashenka Jonuzin, u mblodh për të shqyrtuar padinë e 2 korrikut, të Partisë Socialiste për detyrimin e KQZ-së nga ana e Kolegjit që të shyrtojë pavlefshmërinë e pretenduar prej saj.

Dëshira për shprehje të Kolegjit për pavlefshmëri, ndonëse nuk shënoi një tërheqje zyrtare të socialistëve nga kërkesa në shqyrtim, u shpreh me gojë në mënyrë të përsëritur prej tyre në fund te seancës, e cila kur nisi jo pa tension.

Madje juristët e PS-së akuzuan trupën gjyqësore si të njëanshme dhe provokuese ndaj tyre, kur në fakt relatorja po tërhiqte vëmendjen që socialistët t’i qëndrojnë objektit të tyre të padisë, i cili kërkonte detyrimin e KQZ-së për të shqyrtuar pavlefshmërinë e jo për ta cilësuar atë jashtë afatit.

Gjithsesi, Kolegji pranoi të dëgjonte e më pas edhe t’i administronte si prova pretendimet e socialistëve për mospërputhshmërinë për shkak të së cilës ata kërkojnë pavlefshmëri.

Demokratet e cilësuan këtë monument si një tolerancë nga ana e Kolegjit në këtë moment të shqyrtimit administrativ të një kërkesë që ka si objekt vetëm procedurën, në bazë të cilës veproi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kjo pasi socialistët u tërhoqën një ditë më parë nga shqyrtimi në themel prej Kolegjit të kërkesës për pavlefshmëri, gjë te cilën nuk nguruan ta kërkonin sot jashtë objektit te padisë.

Përfaqësuesit ligjorë të KQZ-së, por edhe pala e interesuar Partia Demokratike argumentuan se Partia Socialiste ishte jashtë afatit me kërkesën e saj për pavlefshmëri.

Sipas tyre, KQZ nuk shpall tabelë rezultati për krerët e njësive vendore, por vetëm për deputetët dhe për anëtarët e këshillave.

Krerët e bashkive dhe të komunave shpallen nga KZAZ.

Për bashkinë e Tiranës KQZ si KZAZ vendosi më 23 maj dhe socialistet brenda afatit te tyre treditor u ankimuan me date 26 maj vetëm ndaj tabelës së rezultatit që pas numërimit të votave të hedhura gabim në 117 kuti nxorën lulim Bashën fitues.

Sipas demokratëve, ndryshe nga kodi i mëparshëm, ky aktuali përjashton mundësinë e ankimit një herë të rezultatit e me pas kërkesën për pavlefshmëri.

Ivi Kaso, përfaqësuesi juridik i PD, sqaroi dhe një tjetër moment kur tha qe dhe sikur të merrte për bazë tabela e 25 qershorit e KQZ, e cila në këndvështrimin e tyre është një statistike bazuar në urdhrin e Kolegjit dhe jo rezultat i shpallur, serish kërkesa e socialistëve e 2 korrikut për kthimin e çështjes në KQZ është jashtë afatit.

Kolegji Zgjedhor me relator Sashenka Jonuzin, anëtarë të tjerë, Astrit Kalanë, Dhurata Havërin, Marie Qirjazin dhe Meriban Mullain, e vetmja që ndryshon përbërjen e trupës se djeshme të Kolegjit në vend të Petraq Dhimitrit, do të vendosë në orën dhjetë të së premtes mbi këto argumenta të tjera që palët paraqiten gjatë shqyrtimit administrativ në këtë séancë.

Mbetet për t’u parë nëse kolegji do të shprehet vetëm, për objekt padinë me shkrim të socialistëve për kthimin e çështjes në KQZ, apo nëse do të marrë për bazë dëshirën e tyre për shqyrtimin nga Kolegji të pavlefshmërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›