PS kërkon çrregjistrimin, reagon Tusha i “Bashkë Fitojmë”: S’duan kundërshtarë për Shijakun

“Luftë politike dhe përpjekje amorale të qeverisë për ta skualifikuar nga zgjedhjet” e quan Rezeart Tusha kërkesën e PS-së drejtuar KQZ për ta çrregjistruar nga procesi zgjedhor i 14 majit.
Rezeart Tusha kandidon për postin e kryetarit të bashkisë si përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe PS përmes një kërkese zyrtare i kërkon KQZ-së që të nisë menjëherë hetimin ndaj këtij kandidati, me pretendimin se “ai nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë një kandidat”.
Tusha thotë se nuk i ka fshehur KQZ faktin se ka pasur një kundravajte në Zvicër për shkelje të lejes së qëndrimit as në këto zgjedhje dhe as në ato të 2021 kur kandidoi për deputet.
“KQZ më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qendrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet.
Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ‘dënim’, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit” shkruhet në deklaratën e Tushës.
Për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” e gjitha është pjesë e “luftës politike për ta skualifikuar nga zgjedhjet” por se ai nuk do të tërhiqet
“Nuk u vë faj, se u është bërë huq që, ose i vjedhin zgjedhjet, ose i fitojnë pa asnjë kundërshtar përballë. E kanë kot. Do të më kenë përballë më 14 maj, jo vetëm si kandidat por edhe si gardian të votës së lirë”
/rtsh.al/