E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Siguria kibernetike, Shqipëria e Emiratet e Bashkuara Arabe firmosin Memorandum Mirëkuptimi

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan sot memorandum mirëkuptimi mes Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Një marrëveshje “të një rëndësie jetike dhe të jashtëzakonshme ” e quajti kryeministri Edi Rama në deklaratën e përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z. Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan mbajtur sot në kryeministrisë.

“Marrëveshja është e një rëndësie të jashtëzakonshme pasi ka të bëjë me sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi ndaj asaj që sot është lloji i ri i kërcënimit. Jo duke treguar tanket apo avionët që shkelin integritetin territorial por duke piratuar dhe sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore. Nuk e falënderoj sa duhet sheik Bin Zayed Al Nahyan dhe njerëzit në Abu Dabi që janë angazhuar sepse kjo me rëndësi jetike.”

Rama shprehu falënderim dhe mirënjohje për ndihmën që Emiratet e Bashkuara Arabe i dhanë  Shqipërisë pas tërmetit, por dhe tani me investimin në portin e Durrësit.

“Sheikh Mohammed u gjend krah nesh kur ne u goditëm nga një tërmet shkatërrimtar dhe sot shohim lagje të reja me një arkitekturë të bukur, me ngjyra të bukura, me drita të bukura shprese që shfaqen në Durrës, siç po shohim edhe nisjen e zhvillimit të investimit të huaj më të rëndësishëm në historinë e këtij vendi, Portin e Ri Turistik të Durrësit që është bërë i mundur me bekimin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe

 “Ju vlerësojmë, ju çmojmë dhe sa të bekuar ndihemi që kemi qenë kaq të privilegjuar për të dëshmuar këtë periudhë historie kur pas një izolimi të gjatë, një rruge të gjatë, nga ferri mundëm të takojmë njerëz si presidenti juaj dhe popullin e Emirateve që na e bëjnë jetën më të lumtur. Jo vetëm që nuk ndihemi vetëm por ndihemi të respektuar”

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z. Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan u shpreh optimist për thellimin e bashkëpunimit.

“Jam i lumtur të shoh që marrëdhënia jonë po rritet, por do të thoja që do të doja që ajo të rritej më shpejtë. Ka kaq shumë gjëra të mira që po ndodhin, ashtu siç ju e përmendët me të drejtë, por ka edhe shumë të tjera që mund të bëjmë sipas bisedës që edhe bëmë bashkë me kolegët e mi për energjinë, për energjitë e ripërtëritshme, infrastrukturën, turizmin dhe folëm edhe për bujqësinë.” 

Ministri i Jashtem i Emirateve të Bashkuara Arabe u ndal dhe tek rajoni e dialogu Kosove – Serbi.

“Dua vetëm të them se Emiratet e Bashkuara Arabe do të përpiqen që të punojnë me miqtë e tyre në Ballkan duke vlerësuar paqen, duke vlerësuar zhvillimin dhe duke respektuar të shkuarën dhe historinë, por për aq kohë sa mund të ecim përpara dhe e shohim procesin e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës si diçka që është jashtë mase inkurajuese. Ne e mbështesim fort atë dhe do të punojmë shumë me ju dhe me miq të tjerë në Ballkan për tu siguruar që normalizimi i Kosovës dhe Serbisë të jetë i suksesshëm dhe tu japë popujve të të dy vendeve më shumë shpresë për të ardhmen”

Në Emiratet e Bashkuara Arabe jetojnë 12 mijë shqiptarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›