PS kërkon maturi nga policia dhe demonstruesit
Partia Socialiste, në prag të demonstratës-homazh të ditës së sotme, ka garantuar sërish ecurinë e qetë dhe paqësore të saj.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PS-së, Megi Ajtyresa, ka ftuar policinë që të bëjë si duhet detyrën e saj dhe nga ana tjetër manifestuesit që të ruajnë qetësinë.
“Kemi respekt për çdo polic që është sot në krye të detyrës. Policia është e ftuar të bëjë detyrën dhe çdo protestues që të ruajë qetësinë. Kërkojmë qetësinë dhe heshtjen që imponojnë homazhet e sotme”, ka deklaruar Ajtyresa.
Në emër të PS, ajo është shprehur se në këto momente të rëndësishme për vendin, qytetarët shqiptarë duhet të tregojnë maturi.
“Shqipëria ndodhet në momente të rëndësishme. E gjithë bota i ka kthyer sytë nga ne. Të gjithë ne, demonstrues e policë, duhet të japim mesazhin se jemi një popull i qytetëruar dhe në rrugën e demokracisë”, ka shtuar Ajtyresa. (tch)