E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS koalicion me çamët dhe PAD-në. Rama: Berisha, koalicion mbeturinash

edi-ramaTiranë- Kryesocialisti Rama ka përdorur një gjuhë të ashpër duke e cilësuar koalicionin e Partisë Demokratike “Aleanca për punësimin, mirëqënien dhe integrimin”, “një qendër grumbullimi mbeturinash politike”.

E quajti të djathtë dhe të qendrës, por në fakt për këdo që ndjek politikën në këto vite nuk është gjëkundi një koalicion i djathtë, por është një qendër grumbullimi mbeturinash politike, pas rrënimit të 8 vjetëve.

Mbeturina republikane nga shpërthimi i korrupsionit në Gërdec, mbeturina monarkiste të mbretërisë së zullumeve këtu afër në ministrinë e Mbrojtjes, mbeturina demokristiane të disa llojeve të mbledhura në rrugën e ateizmit korruptiv, mbeturina balliste, nga koteci i pulave të korruptuara të oborrit të pushtetit të Saliut, mbeturina pseudoçame nga hallva korruptive e Havasë dhe nga bollokumja korruptive e Qifes, mbeturina gjithfarë, ku sigurisht nuk mund të mungonte, o Zot, si mund të mungonte kazani simbol i riciklimit të mbeturinave politike, Lufteri i madh, Xhuveli i përjetshëm, që këtë herë ka përpirë edhe Hamzain tonë Kastriot,- tha Rama.

PS koalicion me partinë çame, Aleancën Popullore

Këto komente kryesocialisti i bëri pas përmbylljes së marrëveshjes me partinë çame, Aleanca Popullore. Duke folur për çështjen çame, Rama tha se është e përfshirë në programin e PS-së, për një Rilindje Shqiptare: “por është larg së qeni një çështje që mund të shpërdorohet siç është shpërdoruar gjatë gjithë këtyre viteve dhe që mund të shfrytëzohet për ti dhënë krah një ksenofobie të neveritshme, një nacionalizmi dallkauk dhe një keqtrajtimi të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të faktit se jetojmë në një botë të re, ku duam të ndërtojmë një Shqipëri Europiane dhe ku çështjet tona duam ti zgjidhim në rrugë evropiane”,- tha Rama.

Ndërsa Kryetarja e Forumit të Gruas në Aleancën Popullore, Mirela Mezani tha se bazë e këtij koalicioni është angazhimi programor i Partisë Socialiste për zgjidhjen e çështjes came në bazë të parimeve ndërkombëtare.

Artur Dojaka, kryetari i Aleancës Popullore falenderoi kryesocialistin për vlerësimin e aleancës: “Me pjesëmarrjen tonë në Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe daljen fitues në zgjedhjet e Qershorit, garantojmë jo vetëm Komunitetin Cam por mbarë opinionin publik brenda dhe jashteë vendit se pas Qershorit i vjen fundi korrupsionit varfërues të ushtruar nga Shpëtim Idrizi me shokë. Çameria ka nevojë për ne dhe ne i duhemi sot”,- u shpreh Dojaka.

PS firmos marrëveshje me Partinë Aleanca Demokristiane

Në vijim kryesocialisti Rama me kreun e PAD, Zef Bushati kanë dalë në një konferencë të përbashkët për të prezantuar edhe zyrtarizimin e marrëveshjes parazgjedhore mes PS-së dhe Partisë Aleanca Demokristiane.

Pas 23 vjetësh që jemi miq, por kundërshtarë në dy kampe të ndryshme dhe pas një militance stoike në kampin tanimë të shpërbërë të të djathtës Zef Bushati si kryetar i demokristianëve të një lloji të veçantë, të atij lloji që asnjëherë nuk është përzier në zullumin e pushteti erdhi dhe u dakordësuam që të merremi vesh për të qenë së bashku në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane, komentoi Rama. 

Ndërsa kreu i PAD-së, Zef Bushati u shpreh se i është bashkuar PS-së pasi edhe partia e tij ka kërkuar Rilindjen brenda saj.

Ne garojmë nën siglën e Aleancës Demokristiane, edhe në këtë koalicion ku marrin pjesë. Thirrjet tona do të jenë për të gjithë elektoratin që të votojë për kandidatët e Aleancës Demokristiane. Shpresojmë që të gjithë së bashku do të arrijmë më të mirën e mundshme në këto zgjedhje, tha Bushati. 

Sipas tij, PD-ja nuk u tregua korrekte me PAD-në:
Aleatët tanë në PD u treguan jo korrekt për sa i përket listave, nuk na u duk e moralshme. Nuk donim të ishim në lista, nuk vijmë këtu që Rama të na hapë listat. Ne e kemi konsideruar këtë një garë, ka një start në garë dhe të gjithë e nisin nga pika zero. Këto lista prishin harmoninë mes palëve e aleatëve. Ne garojmë nën siglën tonë edhe në këtë koalicion me PS. Shpresojmë të arrijmë më të mirën e mundshme, tha ai.

PS marrëveshje me Demokracinë Sociale

Rreth orës 22:00 në ambjentet e selisë rozë është drejtuar edhe kreu i PDS-së, Paskal Milo për të firmosur marrëveshjen ndërmjet partisë së tij dhe asaj socialiste.

Ja edhe Marrëveshja për Koalicion Parazgjedhor Mes Partisë Socialiste dhe Aleancës Popullore

“Me vullnetin dhe dëshirën për një ndryshim thelbësor në qeverisjen e vendit dhe të mbrojtjes së promovimit të interesave të popullit shqiptar e të grupimeve të ndryshme të tij, në vështrim të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Aleanca Popullore bien dakort për përmbylljen e një koalicioni parazgjedhor.
Si bazë e këtij koalicioni për Aleancën Popullore janë angazhimi programor i Partisë Socialiste për zgjidhjen e cështjes çame në bazë të akteve ndërkombëtare dhe të zhvillimit pozitiv e pa hije të marrëdhënieve me shtetin fqinj grek.
Në mënyrë të veçantë, në bazë të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Aleancës Popullore:
1. PS angazhohet për ta kthyer çështjen e pazgjidhur të popullsisë shqiptare me origjinë çame në një çështje kombëtare e politike që do të jetë në vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
2. PS angazhohet gjithashtu që qeveria e koalicionit fitues do të raportojë rregullisht përpara Kuvendit të Shqipërisë për hapat politike dhe diplomatike të ndërmarra në funksion të zgjidhjes progresive te problemit Çam.
3. Me anë të kësaj marrëveshjeje PS angazhohet të materializojë projekt-rezolutën e propozuar dhe publikuar së fundmi prej saj mbi çështjen çame, duke e përcjellë për miratim në Kuvend brenda vitit të parë të qeverisjes.
4. Të dy palët bien dakort që qeveria e ardhëshme do të angazhohet në gjetjen e një zgjidhje me shtetin Grek për të eliminuar pengesat që hasin qytetarët shqiptarë me origjinë çame për të qarkulluar lirisht në territorin grek, bazuar në rregullat dhe parimet e qarkullimit të lirë të vendosura nga BE.
5. Të dy palët ranë dakort të çojnë përpara çështjen çame mbështetur në parimet e të drejtës ndërkombetare dhe vlerat e fqinjësisë së mirë, duke ndarë qartë e me dinjitet kombëtar objektivin e zgjidhjes së çështjes çame nga konsumi banal dhe shumë i dëmshem i saj për interesat dritëshkurtra korruptive të politikës së ditës.
6. Aleanca Popullore, si përfaqësuese e komunitetit çam, angazhohet të koordinojë veprimet e saj me Partinë Socialiste në funksion të arritjes së një rezultati maksimal gjatë zgjedhjeve dhe në qeverisjen e ardhshme në interes të popullit shqiptar dhe të integrimit europian.

Partia Socialiste e Shqipërisë 
Edi RAMA

Aleanca Popullore
Artur DOJAKA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›