E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, komision parlamentar për hetimin e Kuvendit

TIRANE- 35 deputetë të PS-së kanë firmosur dhe do të depozitojnë sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit parlamentar hetimor për të hetuar shkeljet e ligjit gjatë veprimtarisë së organeve drejtuese të administratës dhe shërbimeve të Kuvendit. Kjo kërkesë nuk është bërë në emrin personal të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, por kërkon hetimin e veprimtarisë së Kuvendit gjatë drejtimit të saj. Komisioni, sipas PS-së duhet të funksionojë për 4 muaj dhe të përbëhet nga 5 anëtarë të opozitës e 6 të maxhorancës me kryetar nga PS-ja.

Kërkesa për hetim merr shkas në radhë të parë nga kritikat e vazhdueshme të adresuara nga institucionet ndërkombëtare apo partnerët ndërkombëtarë që asistojnë vendin tonë në proceset integruese të vendit. Në opinionin e Komisionit Evropian mbi aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, nëntor 2010 ndërmjet institucioneve më të kritikuara është listuar edhe Kuvendi i Shqipërisë, pikërisht për rolin kyç që luan në kuadrin e reformave integruese në vend.

Kërkesa e PS-se është botuar sot në Gazeta Shqiptare. PS kërkon që objekt i komisionit hetimor të jenë: Hetimi i veprimtarisë së Kuvendit përsa i përket detyrimeve që lindin nga zbatimi i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Hetimi i veprimtarisë së administratës së shërbimeve të kuvendit sipas kompetencave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit, dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit. Hetimi i Byrosë dhe administratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës së personelit të administratës. Hetimi i procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit, dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit. Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës mes komisioneve, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projekt-ligjeve si dhe në emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij. Ne fund Hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik në Kuvend.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›