PS krijon “policinë” për ruajtjen e votës, struktura futet në Statut
Blendi Klosi: Struktura e partisë do të interesohet për problematikat elektorale si listat e votuesve, prezenca e votuesve, identifikimi i emigrantëve, evidentimi i të larguarve nga zona të caktuara zgjedhore, evidentimi i atyre votuesve me kodin e famshëm 999
Pretendimet për manipulime në zgjedhjet e 2009 dhe ato të 2011 dhe eksperienca e vyer në zgjedhjet e vitit 2007, ku falë një angazhimit të një grupi të posaçëm “policor” socialistët arritën të ruanin votën e tyre në Tiranë, kanë bërë që Partia Socialiste të mendojë seriozisht për ngritjen e një strukture të posaçme e të përhershme për këtë qëllim. Organizimi i një mekanizmi të tillë kontrollues dhe parandalues të vjedhjeve pritet të sanksionohet edhe në statutin e Partisë Socialiste, me ndryshimet që do të miratohen në Kongresin e 5 nëntorit. Një fakt të tillë e bën të njohur sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili është gjithashtu pjesë e grupit të punës për ndryshimet statutore që do të paraqiten për miratim në kongres në formën e një pakete të veçantë, krahas projekt-programit.
Klosi
Duke folur për mediat, sekretari socialist i organizimit ka zbardhur një element të rëndësishëm që do të përmbajë paketa e ndryshimeve statutore. Është fjala pikërisht për garancitë që kjo forcë do përpiqet që të krijojë vetë për të garantuar mbrojtjen e votës nga manipulimi. Sipas Blendi Klosit, mungesa e garancive që duhet të krijojë vetë shteti, ka bërë që PS-ja ta shohë zgjidhjen tek forcat e veta, për të angazhuar një strukturë horizontale, e cila do të veprojë kryesisht para dhe gjatë zgjedhjeve. “Edhe në zgjedhjet e 2009 dhe ato të 2011-ës, PS-ja u përball me një represion shumë të madh nga shteti për sa i përket manipulimit të votës së shqiptarëve dhe një nga problemet më të mëdha që u përballëm ishte mbrojtja e votës dhe lufta kundër manipulimit të procesit zgjedhor. Prandaj do të jetë struktura e partisë, e cila do të marrë vetë në dorë disa problematika që duhet t’i zgjidhte shteti”, - u shpreh Klosi. Ai ka bërë të ditur se kjo strukturë do të ketë për detyrë që të merret me angazhimin dhe kontrollin nga ana organizatave për të verifikuar çdo detaj të procesit parapërgatitor të zgjedhjeve siç janë listat e votuesve, lëvizjet e popullsisë me qëllime elektorale, identifikimin e emigrantëve që vijnë për të votuar etje.
Struktura
Ndërkohë që po kjo strukturë do duhet të angazhohet edhe për ruajtjen fizike të votës ditën e zgjedhjeve. “Në kushtet kur shteti nuk është i interesuar të zgjidhë këto problematika, do të jetë struktura e partisë e interesuar më së shumti për problematikat elektorale siç janë listat e votuesve, prezenca e votuesve, identifikimi i emigrantëve, evidentimi i të larguarve nga zona të caktuara zgjedhore, evidentimi i atyre votuesve me kodin e famshëm 999 , pra kemi numër shumë të madh votuesish apo banorësh, të cilët nuk dihet se kush janë”, - u shpreh Klosi. Ai ka sqaruar gjithashtu se për çdo qendër votimi do të ketë një shtab elektoral aktiv partie, që do të ketë një person përgjegjës, i cili përveç bashkëpunimit me organizatën bazë të partisë do të merret dhe me grupin e patronazhistëve përgjegjës për një qendër votimi. Natyrisht e gjithë kjo strukturë do të ketë një organizim vertikal, pra një ekip drejtues në qendër dhe më pas struktura vartësie në bazë. Siç bëjnë të ditur burime pranë grupit të punës që po merret me ndryshimet statutore, është menduar që ekipi drejtues i këtij mekanizmi kontrollues dhe garantues i zgjedhjeve do të jetë i përbërë kryesisht nga deputetë apo drejtues të tjerë, të cilët kanë njohuri apo përvojë në forcat e rendit.