Ther nusen e nipit të burrit me thikë, në pranga agresorja
Librazhd Qëllon me thikë për të vrarë nusen e nipit të burrit, përfundon në qeli agresorja. Ngjarja ndodhi dje pasdite në fshatin Librazhd-Katund, komuna Qendër në nënprefekturën e Librazhdit. Skënderije Hysa 47 vjeçe, ka qëlluar disa herë me thikën e bukës Nertila Skurën 19 vjeçe, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e qytetit të Librazhdit. Sipas burimeve policore, shkak i ngjarjes ka qenë grindja banale mes kundërshtareve, konflikte të cilat kishin ndodhur edhe herë të tjera. Por dje sherri mes tyre është thelluar aq shumë, sa 47-vjeçarja ka vendosur ta vrasë me thikë nusen e nipit të bashkëshortit të saj. Të afërm të viktimës pohuan se Skënderije Hysa e kishte kërcënuar edhe herë të tjera pa shkak vajzën 19-vjeçare. Madje ajo e kishte paralajmëruar se do ta vriste për fare një ditë. Megjithatë, gjithçka është konsideruar si gjaknxehtësi e momentit. Dje, 47-vjeçarja ka “mbajtur” premtimin duke qëlluar disa herë me thikë në trup të renë. Është dashur ndërhyrja e familjarëve dhe rezistenca e vajzës që të shpëtojë nga vdekja e momentit. Megjithatë, mjekët pohuan se ajo ka pësuar plagë të thella në disa pjesë të trupit. F.S.