PS luajti aktin e fundit të një fushate të dështuar!
Parimi i mbikëqyrja parlamentare është një element qendror në një demokraci parlamentare funksionale. Nuk mund të ketë një sistem demokratik qeverisjeje pa transparencë dhe llogaridhënie e për pasojë detyra themelore për të mbajtur qeverinë përgjegjëse para qytetarëve është e Parlamentit nëpërmjet funksioneve të tij të mbikëqyrjes. Ky parim është konsakruar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe është një ndër instrumentet e garantimit të funksionimit të parimit “check and balance”, sipas përcaktimeve të nenit 7 të Kushtetutës, i cili thotë se “sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”.Duke qenë se siguria është fondamentale për mirëqenien e qytetarëve, është parakushti i zhvillimeve të tjera, është e domosdoshme që të ketë një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Parlamentit dhe qeverisë, ku përfshihet edhe ushtrimi i kontrollit nga ana e Parlamentit. Meqenëse sektori i sigurisë është mjaft kompleks dhe ngërthen në vetvete çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, sekretin shtetëror, dhe një ekspertizë delikate e të veçantë, kushti themelor në këtë raport ndërmjet aktorëve është besimi, dialogu dhe qasja pozitive për të adresuar ato që janë probleme reale duke ofruar rekomandime dhe nisma që do tëçonin në zgjidhjen e këtyre problemeve. Për këtë kam qenë dhe jam i hapur përkundrejt çdo nisme të Parlamentit. Ajo që diskutohet është mënyra dhe forma nëpërmjet të cilave Parlamenti e jep këtë kontribut të rëndësishëm.
Procedurat e mbikëqyrjes parlamentare tashmë janë të konsoliduar. Ka disa nene të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit që përcaktojnë format e mbikëqyrjes e kontrollit parlamentar. Po kështu, hetimi parlamentar si një nga mjetet e mbikëqyrjes, është i vendosur mbi baza të qarta procedurale e ligjore.
Ajo që duhet të sqarojmë një herë e mirë është diferenca ndërmjet kontrollit parlamentar dhe kontrollit administrativ. Kontrolli parlamentar nuk ka të bëjë me kontrollin e veprimtarisë së një institucioni, siç deputetë të Partisë Socialiste pretenduan kur u paraqitën para portës së Ministrisë së Mbrojtjes. Parlamenti kontrollon për çështje të veçanta, të përcaktueshme, sikurse do të shpjegohet më poshtë, ndërsa kontrolli administrativ i veprimtarisë së një institucioni kryhet nga institucione të përcaktuara më ligj. Veprimtaria administrative e Ministrisë së Mbrojtjes është objekt kontrolli, sipas përcaktimeve ligjore, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Kontrolli i Brendshëm i Këshillit të Ministrave, Inspektorati e Auditi vetë Ministrisë së Mbrojtjes. Ky është kontroll rutinal e i vazhdueshëm. Ky element duhet të sqarohet mirë, sepse është abuzuar gjatë me idenë e mospranimit nga ana e Ministrit të Mbrojtjes të kontrollit parlamentar të veprimtarisë së Ministrisë. Kushtetuta dhe ligjet e vendit e kanë bërë të qartë këtë ndarje duke shmangur çdo mbivendosje kompetencash ndërmjet institucioneve, prandaj spekulimi në këtë pikë nuk është i frytshëm.
Si ushtrohet kontrolli parlamentar?
Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit kanë përcaktuar qartë të gjitha format e ushtrimit të kontrollit nga ana e Parlamentit. Deputetët kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime nga Kryeministri dhe çdo anëtar i kabinetit qeveritar mbi çështje që ata i konsiderojnë të arsyeshme të ushtrojnë kontroll. Neni 80 i Kushtetutës thotë që “Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve”. Instrumenti tjetër janë Komisionet e Përhershme Parlamentare, në rastin konkret Komisioni për Sigurinë Kombëtare. Anëtarët e këtij Komisioni kanë të drejtë të kërkojnë raportime nga Ministri, por edhe të kërkojnë dokumentacione mbi çështje të caktuara, në çdo moment që e shohin të arsyeshme. Rregullorja përcakton se “komisionet kanë të drejtë të thërrasin në çdo kohë ministrat, për të dhënë shpjegime dhe sqarime për probleme të fushave ku ata janë individualisht përgjegjës, si dhe për zbatimin e ligjeve, të vendimeve, rezolutave ose deklaratave të miratuara nga Kuvendi”.
Në respekt të Kushtetutës, Parlamentit dhe detyrimeve të mia si ministër, në mënyrë konstante jam paraqitur dhe kam raportuar sa herë që deputetët e kanë konsideruar të nevojshme. U kemi vendosur në dispozicion të gjithë dokumentacionin e kërkuar për aq sa lejon ligji. Jam paraqitur në komision me ekipe të gjerë ekspertësh, në mënyrë që ata ta skrutinonin deri në detaj çdo element për të cilin nuk kanë qenë të bindur. Dhe këtë do e bëj përsëri për çdo shqetësim, por jo vetëm kaq, për çdo reformë madhore që është ndërmarrë dhe po ndërmerret në Ministrinë e Mbrojtjes.
Çfarë ndodhi disa muaj më parë? Një grup deputetësh i Partisë Socialiste paraqitet pranë Ministrisë së Mbrojtjes për të ushtruar kontroll. Më saktë, ata dëshironin të hynin dhe të kontrollonin në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është e pamundur!Këtë nuk e bën dot as Ministri i Mbrojtjes. Edhe Ministri kur do që të kontrolloj për një çështje të caktuar, përdor instrumentet e tij ligjor, Inspektoratin dhe Auditin. Është absurde të pretendosh të shkosh në një ministri dhe të kontrollosh dokumente. Neni i rregullores, të cilit i referohen deputetët socialistë për kontrollin, thotë tekstualisht: “komisionet e përhershme, brenda fushave përkatëse të përgjegjësisë, mund të kryejnë kontrolle ose të kërkojnë dokumentacione që i konsiderojnë të nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje të caktuar. Në këtë rast Kryetari i Kuvendit njoftohet me shkrim nga kryetari i komisionit. Në përfundim të kontrollit, komisionet hartojnë një raport, i cili i përcillet Kryetarit të Kuvendit dhe bëhet i njohur publikisht, duke përfshirë edhe mendimin e pakicës”.(Neni 102, pika 3, Rregullorja e Kuvendit)
Ata nuk kanë konsumuar asnjë pjesë të përcaktimeve të këtij neni. Nuk kanë përcaktuar çështjen për të cilën kërkonin të kontrollonin, nuk kanë bërë një plan pune, nuk kanë njoftuar kryetaren e Kuvendit dhe nuk ka një argumentim minimal se përse dëshironin ta ushtronin këtë kontroll. Kanë sjellë një letër që nuk përmban asnjë kriter formal dhe përmbajtësor dhe kërkonin të hynin dhunshëm në një Ministri. Kjo nuk ndodhi, sepse nuk mund të ndodhte dhe nuk ka për të ndodhur, përderisa ky veprim është jashtë normave të procedurës parlamentare.
Përsa i përket hetimit parlamentar dhe kërkesës që deputetët e PS bënë për ngritjen e një Komisioni Hetimor! Pavarësisht se kjo është kompetencë e Parlamentit, unë si ministër isha në parim plotësisht dakord, jo për një komision, por për dhjetë komisione. Por ato duhet të ngrihen në përputhje me procedurën ligjore.
Çfarë thotë procedura!?
“Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë” (Kushtetuta, neni 77, pika 2). Çfarë duhet të kuptojmë me një çështje të veçantë. Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar në detaje duke mos lënë asnjë hapësirë interpretative me vendimin e saj nr. 18 të vitit 2003, ku shprehet “objekti i hetimit, i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, duhet të përmbajë fakte të përcaktueshme ose kompleks faktesh, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet. Në këtë mënyrë objekti i hetimit evidenton dhe çështjen e veçantë”.
Le të shqyrtojmë konkretisht kërkesën e parë të deputetëve të Partisë Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kaluar më tutje edhe në kërkesën e rishikuar. Objekti i hetimit që ata propozonin ishte:
a) Hetimin e veprimtarisë së Shërbimit Informativ Ushtarak, zbatimin e legjislacionit, objektivat dhe funksionimin konkret të tij;
b) Hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes në zbatim të ligjit 9707, datë 05.04.2007, “Për Kontrollin Shtetëror të Veprimtarisë së Import Eksportit të Mallrave Ushtarak dhe mallrave të teknologjive me përdorim të dyfishtë”, ku përfshihet dhe veprimtaria e ndërmarrjes MEICO;
c) Hetimin e menaxhimit të pronave dhe aseteve nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes;
d) Hetimin e zbatimit të ligjit 9171, datë 22.01.2004, “Për Gradat dhe Karrierën Ushtarake në Forcat e Armatosura”.
Me pak fjalë, kërkonin të hetonin të gjithë veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe unë nuk kam asnjë shqetësim nga kjo, por problemi është se Gjykata Kushtetuese detyron përcaktimin e një çështje të veçantë, e cila të përmbajë fakte të përcaktueshme ose kompleks faktesh. Pra, ka një problem që është fondamental. Që të hetosh diçka apo një çështje të caktuar duhet të kesh përcaktuar qartë objektin e kësaj çështjeje që ekziston, duhet të kesh fakte të qarta, të cilat të mbështesin nevojën për një hetim të mëtejshëm. Kjo çështje nuk është përcaktuar në asnjë moment nga deputetët e Partisë Socialiste.
Në reflektim të kërkesës së Kryetares së Kuvendit për të përcaktuar një çështje të veçantë, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët e PS paraqitën kërkesën e rishikuar, në të cilën objekti i hetimit është:
a) Hetimi veprimtarisë së Shërbimit Informativ Ushtarak, zbatimi legjislacionit, objektivat dhe funksionimi konkret i tij;
Nuk bënë gjë tjetër përveçse hoqën dorë nga tre pikat e tjera duke lënë vetëm hetimin e veprimtarisë së SHIU-t. Problemi përmbajtësisht mbetet po i njëjti. Veprimtaria e SHIU-t nuk është një çështje e veçantë, e cila të përmbajë fakte të përcaktueshme ose kompleks faktesh, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Hetimi nuk mund të jetë për veprimtari, nuk mund të ketë hetim për zbatim ligji. Ky është koncept tipik komunist. Domethënë të përcaktojmë kush është armiku i klasës dhe të vazhdojmë hetimin e veprimtarisë së tij. Nuk është ky roli i komisioneve parlamentare, por roli i tyre është që aty ku nuk kanë sukses organizma të tjera të shtetit, një çështje e veçantë që ka fakte dhe prova dhe kompleks faktesh që tregon që një organ i caktuar shtetëror, një agjenci apo ministri, kushdo qoftë, ka shkelur ligjin ajo çështje bëhet objekt hetimi. Nuk mund të bëhet objekt hetimi tërë veprimtaria e Shërbimit Informativ Ushtarak. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se deputetët e PS nuk kanë prova, nuk kanë fakte,dhe siç e ka deklaruar diku kryetari i tyre:“duam hetim për të gjetur prova dhe fakte.” Ky është një koncept tërësisht antidemokratik.
Nëse me të vërtetë do të donin komision hetimor për pajisjen e SHIU me mjete dhe armatim, do të përcaktonin objektin e hetimit, do të jepnin një fakt për shkelje të ligjit dhe ishte e qartë që do të mund të hetonin. Ata nuk e duan këtë!Interesi i tyre nuk është hetimi mbi një problematikë të caktuar, por mbajtja gjallë e një fushate disa mujore sulmesh politike në drejtim të Ministrit dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk është paraqitur asnjë fakt, e për pasojë nuk ekziston asnjë çështje. E gjithë fushata e sulmeve ka qenë tërësisht politike dhe spekulative. Nëse do të kishin edhe një fakt të vetëm do të thonin që si opozitë kërkojnë në bazë të ligjit të hetojnë këtë çështje mbi bazën e këtij fakti të veçantë. Mund ta kërkonin ngritjen e Komisionit që në muajin Qershor kur filluan fushatën e shpifjeve kundër Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk e bënë këtë sepse nuk kanë asnjë fakt, sepse e vërteta është që nuk ka shkelje të ligjit.
Le ti marrim me radhë të gjitha çështjet që kanë ngritur prej muajsh. Folën për strukturën e re të Forcave të Armatosura. Në muajin qershor më thirrën deputetët e grupit parlamentar të PD-së në Komisionin e Sigurisë për të raportuar lidhur me ristrukturimin apo më konkretisht për Tabelat e reja të Organizimit dhe të Pajisjeve. Raportova dhe morën të gjitha sqarimet. Kisha edhe një staf të tërë mbrapa për të dhënë çdo informacion të mundshëm dhe doli që ishte një flluskë sapuni. Dikush nga deputetët e PS tha se nuk ishit plotësisht të kënaqur, por ishin pjesërisht të kënaqur, sepse e vërteta është që në bashkëpunim me ekipin këshillues të SHBA-ve në Ministrinë e Mbrojtjes, është bërë një punë e shkëlqyer për këtë riorganizim.
Kërkuan që të kontrollonin buxhetin! U përgjigja që buxhetin e kontrollojnë të tjera institucione si KLSH, Kontrolli i Brendshëm Administrativ i Kryeministrit, Kontrolli i Ministrisë së Financave, Auditi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe se parlamenti e kontrollon nëpërmjet komisionit kur miratohet buxheti faktik. Para tre javësh ne kaluam buxhetin faktik në komision dhe parlament dhe ata konstatuan se nuk kanë çfarë të thonë për Ministrinë e Mbrojtjes, sepse e ka realizuar buxhetin 99.5%, në përputhje me ligjin. Pra është një arritje e shkëlqyer, jo vetëm që nuk ka dyshime, jo vetëm që nuk ka gjë për të thënë, por përkundrazi ka vend për të thënë që puna është bërë mirë dhe është bërë ashtu siç duhet.
Folën për muaj të tërë për shitjen e pronave. U paraqita dy ditë më parë në Komision dhe ofrova të gjitha shpjegimet që kërkuan. Ministria e Mbrojtjes nuk shet prona, pavarësisht se kanë gjashtë muaj që akuzojnë nga foltoret e Partisë Socialiste që Arben Imami po shet pronat e ushtrisë. Pronat shiten nga METE dhe Ministria e Financave sipas përcaktimeve ligjore. Kanë folur për çmimet e pronave. Cila është lidhja e Ministrisë së Mbrojtjes me çmimin e pronave? Ministria e Ekonomisë, ngre një komision me ekspertë të institucioneve përkatëse dhe ekspertë të pavarur, të cilët përcaktojnë mbi bazën e ligjit çmimin e tyre. E vetmja gjë që bën Ministria e Mbrojtjes, në mbështetje të propozimeve të Shtabit të Përgjithshëm të FA, i propozon Presidentit të Republikës pronat që mbeten në përdorim të Forcave të Armatosura dhe atyre që dalin jashtë përdorimit. Nga 1006 prona që kanë dalë në 10-vjeçarin e fundit nga Plani i Përhapjes, vetëm 20 të tilla kanë dalë ndërsa unë jam Ministër, ndërkohë që shumë prona të tjera janë rifutur në plan të përhapjes sipas nevojave të Forcave të Armatosura. 75 % e pronave janë nxjerrë që në 2004. Ministria ka bërë shumë mirë që ka dëgjuar Shtabin e Përgjithshëm, këshilltarët tanë amerikanë dhe ia ka propozuar Presidentit të Republikës nxjerrjen e tyre jashtë planit dhe i ka kërkuar qeverisë që një pjesë e tyre të kalojnë në proces privatizimi.
A ka vend për dyshime? Padyshim, dhe për këtë duhet të hetojnë. Në qoftë se Ministria Mbrojtjes, një pronë që është 70.000 metra katrorë nuk e regjistron 70.000 metra katror por 3.500 metra katrorë, këtu ka shkelje të ligjit. Kjo është çështja e Jalit. Nëse dëshirojnë hetim, le të ngrenë Komision dhe të hetojnë, sepse është çështja, fakti dhe kompleksi fakteve. Por nuk mund të ngrihet Komision për shitjen e pronave se Ministria nuk shet prona, nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Është e pafalshme që deputetë të Parlamentit të flasin në këtë formë.
Kanë folur për tregtinë e ligjshme të armëve. Kanë akuzuar për trafikantë armësh, lidhje me trafikantë të njohur të armëve, favorizime klienteliste të kompanive të ndryshme, e shpifje të tjera nga më të ulëtat. Por nëse dëshironin hetim do të kërkonin ngritjen e komisionit hetimor dhe të hetonin për kontratat e shitjes së municioneve. Kanë akuzuar për qindra milion euro të humbura për shkak të favorizimeve!Një gënjeshtër e madhe! Ju kam publikuar të gjitha çmimet që janë rritur vit pas viti në mënyrë që ta menaxhonim sa më mirë atë pasuri që ka Ministria e Mbrojtjes. Kanë folur për kontrata me kompani serbe. Gënjejnë!Është kompania shtetërore e Malit të Zi, një vend mik e partner. Folën për raketa të marra nga Mali i Zi, ju sqarova se ajo kontratë nuk ishte realizuar. Folën për favorizimin e UNIMESCO në blerjen e TNT-së. Gënjyen! Sqaruam se çmimi i shitjes ishte shumë më i lartë se ajo që pretendonin. Akuzuan për shitje armësh kompanive të përfshira në listën e zezë dhe vendeve në embargo. Përsëri gënjyen! Përdoruesi final i armëve të blera është publik në faqen zyrtare të AKSHE. Pra, ata nuk kanë as edhe një fakt të vetëm. Por vetëm shpifje, aludime, supozime dhe një dëshirë të papërmbajtur për të hedhur baltë, për të nxirë imazhin e Ministrisë dhe të vendit në tërësi.
Në kulmin e kësaj fushate politiko-partiake i dërguan letër kundër vendit të tyre, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Çfarë u tha; që Shqipëria është vend model për kontributin që jep në operacionet e Aleancës. Kjo është e vërteta për të cilin jemi krenar dhe ju duhet të jeni krenarë. Sepse Forcat e Armatosura nuk janë as të Partisë Demokratike, as të Partisë Socialiste, por përfaqësojnë me nder dinjitetin kombëtar. Dhe gjithashtu që mbikëqyrja parlamentare në një vend demokratik është po aq e rëndësishme sa dhe bashkëpunimi i institucioneve të fushës së sigurisë. Prandaj dhe nuk e botuat letrën.
Keni përfshirë në kërkesë hetimin për zbatimin e ligjit të gradave dhe karrierës së ushtarakut. Plotësisht dakord! Të kërkonin ngritjen e komisionit për të hetuar nxjerrjen në rezervë të gjeneralëve për të cilët kanë folur gjatë. Le të merrnin vendimet e gjykatave dhe ti shqyrtonin. Por as këtë nuk e bënin dot, sepse gjithçka është bërë në përputhje të plotë me ligjin. Problemi është se ata kanë ndërtuar një fushatë të tërë, bazuar në dizinformacione që merrni nga ushtarakë që duan të zënë radhën në PS. Nuk është detyrë e një partie politike të përzihet në konkurrencën e brendshme të ushtarakëve. Kjo është turp. Në fund të ditës nuk jeni ju që i keni përdorur ata, por janë ata që ju kanë përdorur ju nëpërmjet dizinformacionit.
Pra, ishte e qartë se opozita nuk kërkonte kontroll, por kërkonte hetim hoxhist. Kjo nuk mund të ndodhte. Kjo domethënë që në një vend si ky i yni, që është një demokraci parlamentare, një vend ku sundon ligji duhet të respektohen institucionet dhe procedurat ligjore. Qëllimi i hetimit parlamentar, nuk është kryqëzimi i dikujt, e aq më pak nxitja e shthurjes institucionale. Qëllimi i hetimit parlamentar siç dhe e përcakton Gjykata Kushtetuese, është nxitja e iniciativat për propozime amendime apo miratime ligjesh me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.
Prandaj, objekti i veprimtarisë së komisioneve hetimore nuk mund të jetë në kapërcim të normave kushtetuese apo ligjore duke ç ‘balancuar kështu parimet kushtetuese të balancimit ndërmjet pushteteve, apo të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Veprimtaria e një institucioni nuk mund të hetohet, ajo vetëm mund të kontrollohet nëpërmjet mekanizmave kushtetues e ligjor, ajo çka mund te hetohet nëpërmjet komisioneve hetimore parlamentare janë vetëm “çështjet e veçanta” sipas interpretimit të bërë nga Gjykata Kushtetuese. Nëse grupi nismëtar do të kërkonte që të raportohej në kuvend për veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave të vartësisë së saj, kjo nuk mund të bëhet nëpërmjet komisioneve hetimore për çështje të veçanta, por nëpërmjet instrumenteve të tjerë ligjore siç janë raportimet e herëpashershme që bëhen në Komisionin e Sigurisë Kombëtare apo seancave dëgjimore publike apo të mbyllura në varësi të objektit të raportimit. Edhe përsa i përket kërkesës së rishikuar të deputetëve të Partisë Socialiste, vlen e njëjta logjikë pasi nuk ka ngritur asnjë çështje të veçantë për tu hetuar. SHIU mund të raportojë apo kontrollohet për veprimtarinë e tij dhe zbatimin e ligjit për aq sa e lejon legjislacioni përkatës që rregullon edhe çështjet e klasifikuara si sekret shtetëror nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, por opozita nuk ka kërkuar asnjëherë këtë. Për një kontroll më të thelluar shprehemi se do të ishte domosdoshmëri miratimi paraprak i ligjit për komisionin e posaçëm për agjencitë e inteligjencës që mund të njihej me sistemet dhe operacionet që sipas ligjit janë sekret. Nëse deputetët e opozitës do të ishin seriozë dhe kërkonin hetim, do të sillnin një kërkesë serioze dhe në përputhje me procedurën. Problemi me kërkesën e opozitës është se ajo ishte akti i fundit i një fushate që dështoi me sukses. Ajo që nuk u realizua me kontroll për shkak të paligjshmërisë, nuk mund të realizohej si hetim. Këtu do të ketë vetëm kontroll normal parlamentar të mbështetur në ligj.