Hashim Thaçi: Daçiç i dehur nga humbja e Kosovës
Kryeministri i Kosovës reagon ndaj deklaratave të Daçiç
Kryeministri Hashim Thaçi ka komentuar deklaratat e homologut të tij serb, Ivica Daçiç, rreth darkës së shtruar nga Baronesha Catherine Ashton, mbrëmjen e së mërkurës. Në një prononcim për “Express”, Kryeministri tha se nuk është etike të komentohen takimet e tilla. “Nuk është etike dhe nuk është pjesë e traditës sime dhe popullit tim komentimi apo përfolja e drekave apo darkave që shtrohen nga ai që bën ftesat, e që në këtë rast ajo u shtrua nga Baronesha e respektuar Ashton”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi për Gazetën Express. Në një prononcim për “Press”, Daçiç ka treguar se në darkë janë shtruar pjata të para, ujë, verë, fruta dhe ëmbëlsirë. Kryeministri Thaçi thotë se e ka një shpjegim për deklaratat e Dacic. “Unë kudo që kam qenë dhe do të shkoj, do të sillem konform etikës sime njerëzore dhe obligimeve kushtetuese. Në drekat apo darkat e tilla respektoj standardet protokollare. Përfolja e darkës së Brukselit nga Daçiç nuk është etike. Si duket atë ende e mban të dehur pija “festive” e humbjes së luftës së Kosovës në vitin 1999”, ka deklaruar Kryeministri kosovar.
...