PS me dy fytyra, në 2002-shin e votoi Zaganjorin për anëtar të Gjykatës Kushtetuese

Sot, kur juristi i njohur dhe anëtar i Kushtetueses, është kandidat për President, PS në opozitë, heziton të japë votat, duke u justifikuar se është kandidaturë e mazhorancës
Një nga emrat e propozuar nga mazhoranca si kandidat për Presidentin e Republikës, vjen nga fusha e drejtësisë dhe është ai i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjorit. Ai ka marrë mbështetjen e aleatëve të koalicionit qeverisës. Raundi i parë i procesit me (84 vota), u ezaurua pa kandidatura, pasi mungoi konsensusi i opozitës.
Por, Xhezair Zaganjori nuk është i panjohur për Partinë Socialiste. N 24 dhjetor të 2002-shit, pra 10 vjet më parë, Partia Socialiste, atë kohë në qeverisjen e vendit, propozoi dhe votoi kandidaturën e Zaganjorit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Një faksimile e procesit të votimit, tregon qartë votat “pro” të deputetëve të PS të cilët i kanë dhënë mbështetje të fortë në parlament kandidatit të sotëm për President të Republikës. Si e sheh PS 10 vjet më pas, juristin Xhezair Zaganjorit? Justifikimi i parë i Edi Ramës ishte se z. Zaganjori është propozim i njëanshëm dhe i mbështetur vetëm nga mazhoranca. Alibia e tij shkoi edhe më tej kur tha se PS s’mund të bjerë në këtë kurth dhe do vazhdojë prirja destruktive për bllokimin e procesit dhe zvarritjen e reformave të integrimit.
Xhezair Zaganjorit është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.