E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pa rezultat raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit. Berisha: Opozita ka për qëllim të bllokojë procesin e integrimit

30-05-2012 / Gazeta 55

-- PS kundërshton kandidaturën e Zaganjorit

-- Astrit Patozi: Optimizëm për konsensusin në raundin e dytë

UPDATE- Raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit dështoi për shkak të mos arritjes së një konsensusi nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kandidaturën e paraqitur me konsensus nga shumica parlamentare, PD-LSI-PR-PDIU. Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit anëtarin e gjykatës kushtetuese, Xhezair Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga drejtësia apo nga fusha e diplomacisë. Në takimin e sotëm mes dy krerëve të grupeve parlamentare Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi nuk u arrit konsensus për kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Gjithashtu Komisioni i ligjeve i cili është mbledhur rreth orës 09.30 minuta ka konfirmuar se nuk ka ende asnjë kandidat zyrtar për garën presidenciale. Komisioni ka miratuar një raport në të cilin zyrtarizohet se asnjë firmë deputetësh nuk është paraqitur si mbështetje për emra konkretë për President.
Sipas raportit, votimi në raundin e parë quhet i ezauruar edhe pse nuk ka asnjë kandidat zyrtar. Kështu pas seancës së sotme, raundi i dytë pritet të zhvillohet gjatë javës së ardhshme.
Sipas Kushtetutës procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri bëhet në pesë raunde, nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. “Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.

Berisha: Kandidatura e mazhorancës, në lartësinë e detyrave kushtetuese
Pas dështimit të konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës në raundin e parë të zgjedhjes së presidentit, kryeministri i vendit Sali Berisha, është shprehur në Kuvend se pavarësisht marrëveshjes me LSI-në për zgjedhjen e presidentit, mazhoranca është ngritur në lartësinë e kërkesave të kushtetutës, e cila është shkruajtur siç e ka dashur PS-ja dhe kryetari i saj, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për t’i dhënë vendit një president në lartësinë kushtetuese të detyrës së tij dhe me integritet të gjithanshëm. “Zgjedhja e Presidentit të Republikës përbën një proces madhor të një rëndësie themelore për vendin dhe në këtë kontekst jam këtu për t’u garantuar ju të dashur qytetarë, parlamentarë shqiptarë se jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’i dhënë vendit Presidentin në lartësinë kushtetuese të detyrës së tij, personalitetin, gruan apo burrin me integritet të lartë të gjithanshëm. Ky ka qenë i gjithë dhe ky është qëllimi ynë. Në këtë kontekst dhe në përputhje me kushtetutën, mazhoranca, e cila ka një marrëveshje për të zgjedhur me konsensus mes PD-LSI presidentin është ngritur mbi këtë marrëveshje, është ngritur në lartësinë e kërkesave të kushtetutës, të cilën e kemi shkruajtur siç ka dashur PS-ja dhe siç ka kërkuar kryetari i saj”- deklaroi kryeministri.
Më tej ai ka shtuar se e ka konsideruar shumë të drejtë kërkesën që n 3 raundet e para të votohet me 3/5, sepse është në interesin më të mirë që qytetarët shqiptarë të shohin tek kryetari i shtetit të tyre një njeri me mbështetje më të gjerë të mundshme.
“Bazuar në këtë detyrim kushtetues ne në afatin kushtetues filluam konsultimet dhe pa shqipëruar qoftë edhe një emër të vetëm ne dëshironim që konsultimet të vazhdonin me ju dhe kjo ishte e domosdoshme”- theksoi Berisha.
Gjithashtu ai nënvizoi se nëpërmjet zgjedhjes së presidentit opozita kërkoi të ngrinte themelet e shtetit dhe për të bërë këtë formuloi ultimatumin me 4 kushte.
“Kreu i PD-së i dërgoi letër kreut të minorancës që e ftoi të fillonte dialogu. U nis ftesa dhe pas një hezitimi evident erdhi përgjigja e pranimit. Për t’i bërë dritë në parlament ndodhi editoriali i shkruajtur nga ish-këshilltari im për çështje kozmopolite u nis editoriali “gjithçka ose asgjë” kjo ishte motoja dhe menduat procesin sipas ish-këshilltarit vendosët që nëpërmjet zgjedhjes së presidentit ju t’i ngrini themelet shtetit dhe për të bërë këtë formualuat ultimatumin me 4 kushte”-tha Berisha.
Duke analizuar kërkesat e ultimatumit të opozitës shefi i qeverisë theksoi se për sa i takon reformës zgjedhore i është dhënë përgjigje 96% të problemeve të ngritura nga ODIHR.
“ODIHR nuk mund të merret me fobira e obsesione, ODIHR do që qytetarët të kenë një proces të garantuar dhe nuk niset nga teza se 20 komisonerët e mi u korruptuan”- vijoi më tej Berisha, i cili shtoi se kjo qeveri e ka bërë të qartë botërisht përkushtimin për votën e lirë. “Vendimet e KQZ-së 5 me 2 na dalin të paqena nga dy militantë të PS-së, ne nuk e pranojmë këtë se ju harroni që kjo qeveri e ka bërë të qartë botërisht përkushtimin për votën e lirë. Pra a mundet që ju t’i jepni të drejtë një qeverie ta transkriptojë vendimin e gjykatës në mënyrë që edhe këta të dy të mos jenë abuzivë se në ligjet e vendit të lirë të gjithë kanë kujdes të mos abuzojnë me ligjet. Keni sjellë një propozim që s’mund ta pranojmë, tani ndodh ekzekutimi politik i të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Në atë KQZ ka anëtarë komisioni që e njohin procesin zgjedhor dhe praktikën e tij më shumë se ky parlament i marrë së bashku”- deklaroi ai. Përsa i takon heqjes së imunitetit ai shprehu vendosmërinë e tij se është në interes të gjithë qytetarëve, ndërkohë që qeveria socialiste e refuzoi në atë kohë, Komisioni i Venecias e gjykoi shumë të mirë, por kërkoi që të votohet me 3/5, ndërsa opozita kërkoi ndryshim kushtetues. Ai tha se miliarderët e PS-së nuk duan të heqim imunitetin, teksa shprehu gatishmërinë e tij për të votuar që sot për heqjen e imunitetit.
Përsa i takon takimit të kryeministrit me Ramën për këtë çështje kreu i ekzekutivit u përgjigj se si kryeministër është i detyruar ta takojë Ramën, por jo për çështje teknike, të cilave u japin zgjidhje ekspertët. Lidhur me kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca për president të Republikës Berisha u shpreh se nuk ishte kandidaturë nga radhët e politikës dhe me kredenciale të larta. Ai e akuzoi sërish Ramën se zgjodhi politikën bllokuese dhe i bëri apel opozitës për të studiuar dhe shqyrtuar kandidaturën.

Astrit Patozi: Platforma e Ramës për të bllokuar reformat dhe presidentin
“Platforma e Ramës është për të bllokuar reformat dhe presidentin. Tre ditë më parë u ulëm në tryezë na u kërkua që procesi të futej në rrugë pa krye duke kërkuar ultimatume. Sot erdhëm me propozim real dhe të formalizuar tashmë nga aleatët qeverisës, i cila i plotësonte kushtet për të qenë president konsensual, kurse Rama refuzoi kandidaturën”- u shpreh Patozi pas takimit, ndërsa shtoi se takimi i sotëm i la shije të hidhur dhe se mazhoranca do konsumojë të gjitha përpjekjet e saj, që opozita t’i thërrasë arsyes.
Kreu i grupit kuvendor demokrat u shpreh gjithashtu i bindur se pas dështimit të raundit të parë të votimit të presidentit janë të gjitha mundësitë që në raundin e dytë të zgjidhet një president konsensual.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›