“PS me rezultat spektakolar në zgjedhje”, Blendi Klosi: Erion Veliaj i pakonkurueshëm

Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, beson se forca qeverisëse do të dalë e fituar me rezultat spektakolar në zgjedhje. Ai hodhi poshtë shqetësimet se PS po përdor administratën për fushatën e saj përmes aplikacionit partiak Aktivisti.
Ky aplikacion mbledh disa të dhëna personale dhe përhap për anëtarët lajme nga aktiviteti i qeverisë dhe shpërblen me pikë angazhimin me like dhe share.
“Nuk ka detyrim për administratën të bëhet pjesë dhe nuk ka asgjë kundra ligjit”- u shpreh Blendi Klosi gjatë intervistes për emisionin “Pa Censurë”.
Duke vënë në dukje organizimin e PS, të cilin e vlerëson si të shkëlqyer, zoti Klosi theksoi se fitorja më e madhe e PS do të jetë në Tiranë.
“Tirana është fytyra më e plotë e asaj që PS ka bërë në qeverisjen qendrore dhe lokale. Realisht është qytet që është transformuar. Erion Veliaj me punën që ka bërë vetë bëhet një kandidat pa kundërshtarë në garën që po vjen.”- tha ai për emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/