E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protestat e opozitës për largimin e Ramës, Klosi parashikon: Foltorja nuk do të hyjë në zgjedhje

Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, nuk sheh arsye që përmendja e kryeministrit në çështjen e hetimit të ish zyrtarit të FBI-së, të dëmtojë interesat e PS në zgjedhje. Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, zoti Klosi tha se nuk ka vend as për hetim në Shqipëri për të sqaruar përfshirjen e kryeministrit në dyshimet për korruptim të zyrtarit amerikan, as mund të flitet për dorëheqje të kryeministrit siç kërkon opozita.

“Në rastin konkret nuk ka asgjë që lidh zyrtarët shqiptarë me rastin e Amerikës. Nëse mendoni se prokuroria shqiptare do t’i mbivendoset apo të kërkojë bashkëpunim me drejtësinë amerikane, drejtojuni prokurorisë me një thirrje publike të televizionit tuaj, ta shqyrtojnë ata. Në lidhje me dorëheqjen, PD ka vetëm një mënyrë për të larguar Edi Ramën: të mbledhë më shumë vota se PS në zgjedhje. Siç e shoh, do të duhet një kohë shumë e gjatë për këtë“- u shpreh Sekretari Organizativ i PS.

Blendi Klosi beson se edhe deklaratat e opozitës për nisjen e protestave të pandërprera deri më largimin e Ramës i shërbejnë vetëm mbulimit të humbjes së opozitës në zgjedhje.

Sekretari Organiztiv i PS shkon dhe më tej, kur beson se PD do të bëjë të njëjtin gabim me zgjedhjet, si në 2019-ën.

“E shoh këtë qendrim si rrugë që PD, foltorja po bën për të mos marrë pjesë në zgjedhje. PD, në mungesë të programit, të frymës, të organizimit, të lidershipit dhe të kandidatirave, si dhe në mungesë të plotë të përgatitjes elektorale kërkon zgjidhjen, kërkon gjithmonë si ai nxënësi i parregullt për të lënë mësimin. Në 100 ditë që kanë mbetur nga zgjedhjet, nuk e ngrenë dot frymën dhe duket se e kanë harruar skenarin e zgjedhjeve.”- pohoi Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, më RTSH.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›