E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ndërron mendje, grumbullimi te “Skënderbej”

28/04/2010 Rama kishte deklaruar se sheshi nuk do përdorej më nga politika

Sheshi “Skënderbej” do të jetë pika e grumbullit të militantëve socialistë, që më pas do të marshojnë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur përpara zyrave të ekzekutivit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kishte deklaruar me nisjen e punimeve në sheshin “Skënderbej” se asnjë forcë politike nuk do të kishte më mundësi të zhvillonte manifestime apo grumbullime, qofshin këto për të protestuar apo për të manifestuar, në sheshin në qendër të Tiranës. Por me sa duket kreu i PS-së s’ka pasur shumë opsione dhe ka ndryshuar mendjen për grumbullimin fillestar në sheshin “Nënë Tereza”. Kjo zgjidhje është menduar për t’i dhënë sa më shumë pompozitet protestës, pasi dhe vetë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ka një strukturë të tillë me ulje dhe ngritje përgjatë gjatësisë së tij, e cila me përhapjen e njerëzve në rrugë, lejon një pamje më të madhe të protestës nga ana vizive nga sa mund të jetë realisht. Duket se sheshi “Skënderbej, pavarësisht se është kthyer në mollë sherri mes Qeverisë dhe Bashkisë, do ta bëjë sërish shërbimin e tij të fundit si pikë grumbullimi për marshime protestash. Protesta e PS-së do të fillojë rreth orës 17 të pasdites, ndërkohë që mendohet se ajo do të zgjasë për tërë natën. Madje, për këtë arsye, burime pranë PS-së shprehen se janë mbledhur dhe emrat që do e gdhijnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë. Për të ardhurit nga rrethet janë vënë autobusë në dispozicion, por pas përfundimit të protestës ata priten që të kthehen në destinacionet e tyre dhe vetëm një pjesë do të qëndrojnë për të vazhduar aksionin politik të iniciuar nga lidershipi i PS-së. Gjithsesi, fundjava duket se do të fusë dhe një herë në lojë sheshin “Skënderbej”, i deklaruar se do të përdorej vetëm në shërbim të qytetarëve dhe jo të politikës. Nga ana tjetër është i pashmangshëm dhe trafiku apo amullia që do të shkaktojë protesta e stërzgjatur e opozitës dhe manifestimi i 1majit nga ana e mazhorancës, duke trazuar paksa qytetarët, që ndjekin ritet e jetës së përditshme. Nga ana e saj, opozita ka deklaruar se kjo do të jetë një përballje paqësore dhe se nuk do të këtë veprime të mosbindjes civile që do të degjeneronin në dhunë, duke dhënë kështu një farë garancie se protesta do të jetë e qetë.

Rama tur derë më derë

“Hajdeni në shesh, të rrëzojmë Berishën!”

Kreu socialist, Edi Rama, vijoi turin e tij të takimeve derë më derë duke ftuar qytetarët e Tiranës t’i bashkohen protestës së opozitës më 30 prill. Gjatë ditës së djeshme, kryetari Rama, i shoqëruar dhe nga deputeti Eduard Shalsi, takuan banorët e njësisë nr. 9 në kryeqytet. Në këto takime Rama ka shpërndarë fletëpalosjet dhe ka dëgjuar nga afër arsyet për të cilat këta qytetarë do të jenë në protestën e 30 prillit. Ndërkohë që dhe vetë kreu i socialistëve i mëshoi me forcë qëndrimit të tij kundër mënyrës se si është qeverisur vendi deri më tani. “E gjithë kriza që ka pllakosur në Shqipëri është një e keqe që i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura. Po nuk u hapën kutitë, nuk shpëtojmë dot nga kjo e keqe. Kjo Qeveri, që merr borxhe, po varfëron çdo ditë shqiptarët, pasi këto borxhe, edhe pse i merr Qeveria, i paguani ju”, vlerësoi Rama gjatë takimeve me banorë të kësaj njësie. Por në kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët e njësisë bashkiake numër 9, Rama ka lëshuar dhe një mesazh të qartë si për mbështetësit e kampit të majtë, ashtu dhe për simpatizantët e kundërshtarit të tij politik. “Hajdeni më 30 prill në shesh, sepse këtu nuk është punë demokratë apo socialistë. Këtu është puna popull me një Qeveri që nuk e lë popullin me zgjedh. Ja merr votën edhe po s’ia dha populli, dhe pastaj i thotë popullit: ‘Më mbaj në kurriz, sepse unë do të dal të kërkoj borxhe”, nënvizoi Rama gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›