E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 6 muaj 113 çifte kanë kërkuar divorcin në gjykatë

SHKODËR- Në gjashtë muajt e parë të këtij viti 113 çifte i janë drejtuar gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër për zgjidhje martesore. Kjo shifër është e përafërt me atë të një viti më parë, ku në 6-mujorin e parë ishin 145 kërkesa për zgjidhje martese të depozituara. Arsyet sipas relatoreve të këtyre çështjeve, gjyqtarëve, por edhe vetë avokateve që mbrojnë çiftet, janë disa, por si me kryesoret renditen kushtet e vështira ekonomike, konsumimi i pijeve alkoolike, ndërsa si arsye janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit edhe lojërat e fatit. Sipas gjyqtareve, dy shkaqet e para që lidhen me vështirësitë financiare të mjaft familjeve dhe me konsumimin e alkoolit nga ana e bashkëshortëve, ka kohë që janë problem shqetësues në zonën e Shkodrës. Kërkesa për divorc si nga ana e burrave ashtu edhe e grave mbetet në shifra të njëjta. Por ai që ndeshet si shkaku me i ri që po çon në dyert e gjykatave për ndarje çiftet, janë lojërat e fatit, një fenomen ky i përhapur dhe i ligjëruar. Gjyqtarët të cilët po ndjekin këto raste e vlerësojnë si shqetësues këtë fakt, duke shtuar se nëse ecet me këto ritme, në një kohë të shkurtër lojërat e fatit do të bëhen shkaku kryesor i ndarjeve për çiftet shkodrane. Kushtet e vështira ekonomike zënë 50% të rasteve të kërkesave për divorc të çifteve. Për sa i përket divorceve për shkak të konsumimit të alkoolit, përqindja e këtyre rasteve është rritur nga 10% vjet në 20% këtë vit. Ndërkohë lojërat e fatit nga një përqindje e vogël që zinin në të kaluarën me 3-4%, sot shifra ka shkuar në 15% të rasteve. Në shkaqet e tjera që përbëjnë rreth 15% rasteve të divorceve, renditen tradhtitë bashkëshortore, xhelozitë, dhuna fizike, mospërballimi i të jetuarit me prindërit e bashkëshortit apo të dy a më shumë kurorave në një banesë; mosmarrëveshjet mes çifteve për shkak të kulturave apo mentaliteteve të ndryshme etj. D.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›