E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS në Kuvend, Replikat ne mbledhjen e grupit

25/02/2010 Grupi kuvendor nuk ka mundur të dalë me një qëndrim

Blushi: Tani protestat zhvillojini me rrogat e Kuvendit

Rama ndërpret mbledhjen pas debateve me deputetët kundërshtarë

Grupi i Partisë Socialiste do të jetë i pranishëm sot në Kuvend, ku do të bëjë me dije dhe nismën ligjore sa i përket hetimit të zgjedhjeve parlamentare. Megjithëse grupi parlamentar i mbledhur në orën 18 për të vendosur mbi modalitetet nuk arriti të marrë asnjë vendim, kjo u bë e ditur nga vetë kreu i PS-së, Edi Rama, pak minuta përpara mbledhjes që do të zhvillonte grupi kuvendor. Kështu, pas publikimit të një vendimi të tillë, ligjvënësit socialistë u mblodhën në një takim të posaçëm për të vendosur pikërisht mbi një vendimmarrje të tillë. Por, edhe pse e vendosur paraprakisht për kthimin e PS-së në Kuvend për një seancë të vetme parlamentare, dorëzimin e nismës ligjore për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, dhe më pas të vijohet bojkoti, mbledhja e grupit kuvendor socialist u shoqërua me debate të shumta. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se hyrja në Kuvend dhe dalja sërish prej tij e PS-së ka sjellë jo pak tension gjatë mbledhjes, e cila ka sjellë dhe ndërprerjen e saj. Madje, të ndarë në dy grupime, deputetët socialistë, të njohur si mbështetës të kryetarit Rama, nuk kanë ngurruar të ushtrojnë presion ndaj kolegëve, të cilët kanë insistuar që të mos ndërmerret një veprim i tillë. Ndërkohë që nuk ka munguar ndërhyrja e njërit prej deputetëve kundërshtarë të kreut socialist, Ben Blushit, i cili ka ironizuar protestat e zhvilluara deri tani dhe që deklarohet se do të vijojnë. “Deri më tani i bëtë protestat pa rroga, tani e tutje do t’i zhvilloni ato me rroga”, mësohet të jetë shprehur Blushi. Menjëherë pas kësaj deklarate ka ardhur reagimi i deputetëve mbështetës të Ramës, ndër ta Fatmir Toçi, Artan Gaçi, Besnik Bare, Xhemal Qefalia, të cilët i kanë kërkuar Blushit që të mos fyejë dhe të ndalojë së foluri. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana e Blushit, duke shtuar tensionet brenda radhëve të ligjvënësve socialistë. Madje, veç kërcënimeve nga ana e deputetëve në adresë të Blushit, nuk ka munguar dhe paralajmërimi i vetë kreut socialist për të gjithë ata që thyejnë etikën gjatë mbledhjeve të forumeve socialiste. Për këtë arsye, Rama bëri me dije në takim se do të ketë status të veçantë. Sipas tij, statusi do të jetë që këtej e tutje s’ka fyerje në mbledhje. Ndërkohë që gjatë seancës së sotme deputetët socialistë do të parashtrojnë një paketë me dy nisma ligjore që lidhen pikërisht me hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Socialistët do të kërkojnë që të sanksionohet me ligj hetimi i zgjedhjeve. Njëkohësisht do të propozojnë një amendament për ndryshime lidhur me komisionin hetimor parlamentar. Megjithatë, pritet që këto dy nisma të marrin dhe firmat e deputetëve socialistë, përpara depozitimit të tyre në Kuvend. Për këtë arsye, qëndrimi i grupit kuvendor socialist mund të jetë vetëm për dy ose tri seanca parlamentare, më pas do të vijojë bojkoti deri në marrjen e garancive nga mazhoranca për hapjen e kutive të votimit.

Debati në grupin e PS-së

Blushi: Deri më tani i zhvilluat protestat pa rroga, tani që do të hyni në Parlament do t’i bëni protestat me rroga. (Ndërhyrje). Më lini të flas, çfarë keni?

Baraj - Blushit: Po boll, mos fol më, kemi tetë muaj që të dëgjojmë ty.

Blushi - Bares: Ti e ke me shkrim nga Rama që flet. Ti nuk je nga ata që ua bëjnë fjalimet të tjerët.

Rama - Blushit: Pse po fyen, nuk lejoj njeri të fyejë këtu. Të lejova herën e parë, të dytën, herën e tretë nuk ka më, do të dalësh jashtë. Do të ketë status të veçantë: që këtej e tutje s’ka fyerje në mbledhje.

Toçi: Je i përkëdhelur.

Rama: Unë i jap fjalën kujt të dua. Njerëzve që flasin nga brenda dhe jashtë nuk dua t’ua jap fjalën.

Malaj: Pse s’e formatojmë grupin?

Toçi - Blushit: Ti je provokues, politikan bananesh.

Blushi - Toçit: Kush je ti që flet?

Toçi - Blushit: Dil jashtë dhe e shohim! Do ta shikosh se çfarë do të bëj unë.

Gaçi - Blushit: Lëre, pse flet? Mjaft, nuk duam të të dëgjojmë ty, i kemi të qarta këto gjëra.

Baraj: Nuk kemi fuqi për këto gjëra.

Blushi - Ramës: Ore, do ta drejtosh mbledhjen ti?

Rama: E mbyll mbledhjen unë, nuk kemi çfarë flasim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›