E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nis riorganizimin, Rama: Tirana duhet të përmirësohet. E pafalshme që shifra e grave në parti të jetë 34%

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga dita e sotme nis zyrtarisht fushata e mirëfilltë brenda Partisë Socialiste, me fokus riorganizimin e strukturave dhe përmirësimin e rezultateve në nivel vendor.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama u ndal te renditja e disa qarqeve, duke përmendur nevojën për përmirësim, veçanërisht në Tiranë.

“E fundit shifër, është pjesa e fundit e tabelës së klasifikimit në rezultatet e PS: Tirana, Lezha, Shkodra dhe Kukësi. Shkodra dhe Lezha kanë bërë një hov të jashtëzakonshëm. Tirana s’mund të jetë në asnjë mënyrë aty… Ne duhet ta ngremë Tiranën më lart se mesi i atij klasifikimi, me çdo kusht”, u shpreh Edi Rama.

Ai theksoi se procesi i brendshëm do të jetë i fokusuar në forcimin e organizimit dhe rritjen e angazhimit politik në bazë.

“Ne sot fillojmë një fushatë të mirëfilltë për PS dhe brenda PS”, deklaroi kryeministri.

Rama u ndal edhe te pjesëmarrja në zgjedhje, duke vënë në dukje një shifër të lartë të abstinencës dhe duke e konsideruar shoqërinë shqiptare të angazhuar politikisht.

“Së pari, është mirë që t’i mësojmë njerëzit me një fakt të thjeshtë. Në Shqipëri nuk marrin pjesë në zgjedhje 44%, s’ka rënie të interesit për të votuar. Shqiptarët janë lojtarët më të jashtëzakonshëm të sportit të politikës”, tha ai.

Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së tij ishte përfaqësimi i grave në parti. Rama e cilësoi të pamjaftueshme shifrën aktuale dhe kërkoi rritjen e saj.

“Është e pafalshme që shifra e grave në PS të jetë 34%. Duhet ta kapërcejmë këtë shifër me çdo kusht dhe tani”, u shpreh Edi Rama.

Ai shtoi gjithashtu se në disa struktura lokale mungon balanca gjinore, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në organizim.

“Kemi organizata ku ka vetëm një burrë dhe s’ka një bashkëkryetare. Duhet të mos e lejojmë”, theksoi kryeministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›