Rritja e çmimit të naftës, Berisha: PD draft për uljen e çmimit të karburanteve, të ndiqet modeli i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, reagoi për rritjen e çmimit të karburanteve në vend, duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme në mbështetje të qytetarëve.
Duke iu referuar nivelit aktual të çmimit të naftës, ai theksoi se situata kërkon masa konkrete dhe të shpejta nga institucionet. Në këtë kuadër, Berisha bëri të ditur se opozita ka përgatitur një draft me propozime për uljen e kostove të karburanteve.
“Çmimi i naftës ka arritur në 214 lekë për litër. Kemi përgatitur një draft me të cilin kërkojmë përgjysmim të taksës së qarkullimit dhe lëvizjen e akcizës”, deklaroi Berishs ndërsa shtoi se PD-ja do të kërkojë vendosjen e një sistemi fiskal sikurse në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Do të kërkojmë të vendoset sistemi fiskal që ekziston në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut”, tha ai.
Në vijim, Berisha ndau edhe detaje nga pjesëmarrja e tij në samitin e Partia Popullore Evropiane (PPE), duke e cilësuar atë si një platformë të rëndësishme mbështetjeje për opozitën shqiptare.
“Sapo jam kthyer nga samiti i PPE, ku u morën vendime të rëndësishme. Takova shumë miq të hershëm dhe të rinj. Diskutuam mbi gjendjen e Shqipërisë dhe ajo që u them qytetarëve është se në këtë samit PD pati vendin e saj të merituar dhe mori mbështetje shumë të madhe”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se gjatë vizitës janë zhvilluar takime në institucione të rëndësishme në Bruksel.
“Bëmë takime në parlamentin belg dhe në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, ku informuam për situatën dramatike që kalon Shqipëria”, shtoi Sali Berisha.
/rtsh.al/