E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS prezanton programin në Elbasan e Durrës

Përfaqësues të PS e kanë vijuar turin e tyre elektoral në rrethe të vendit, ku në takime me banorët kanë shpalosur pjesë nga programi i ri qeverisës dhe avantazhet për qytetarët. Leskaj ka qenë në Papërr të Elbasanit, ndërsa Klosi në Maminas të Durrësit. 

ELBASAN- Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit Valentina Leskaj, është takuar me banorët e fshatit Papërr për të prezantuar pjesë të programit të ri qeverisës. Leskaj është ndalur tel problemet e fermerëve duke u premtuar banorëve të kësaj zone të harruar nga kjo qeveri në ikje, se pas 28 qershorit do ti kushtohet një vëmendje më e madhe fshatit nga ana e shtetit.
“Është bërë një program, i cili fillon me kartën sociale dhe është një revolucion. Ky është një element shumë i rëndësishëm që çdo shtetas i këtij vendi të ketë një kartë sociale ku pavarësisht nga gjendja ekonomike apo sociale të ketë disa përfitime bazë të nevojshme për një jetë normale, ne do të 4-fishojmë ndihmën ekonomike, sepse ndihma ekonomike sot është një lëmoshë e cila nuk të jep as gjysmën e minimumit jetik. Ne do të zgjidhim problemin e tregut, sepse nuk mund të ketë biznes agrarë dhe nuk mund të zhvillohet familja fermerë. Nuk mund të zhvillohen fermat nëse nuk është zgjidhur problemi i magazinimit dhe problemet e tjera që ka nevojë për të dalë në treg”- u shpreh Leksaj në fjalën e saj drejtuar banorëve të zonës.

DURRËS- Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit Blendi Klosi në kuadër të takimeve me banorët për fushatën elektorale është ndalur në fshatin Maminas. Klosi është njohur me problematikën e madhe që kanë njerëzit në këtë zonë, duke i premtuar banorëve se pas 28 qershorit me qeverinë e re të drejtuar nga Partia Socialiste të gjithë fermerët, mjekët, arsimtarët do të kenë më shumë dinjitet falë politikave mbështetëse të programit të ri qeverisës.

“Ne nuk jemi në këtë fushatë elektorale vetëm për të kërkuar votat tuaja, ne jemi në këtë fushatë elektorale për të ndryshuar Shqipërinë, ne jemi në këtë fushatë elektorale për tju ngritur juve shpresën që kjo Shqipëri mund të ndryshojë dhe mund të ndryshojë me më shumë dinjitet për fshatarin, për fermerin, biznesmenin, arsimtarin dhe më shumë dinjitet për të gjithë ata të cilët kërkojnë të jetojnë nmë shekullin e 21 ashtu siç i talon shqiptarëve”- theksoi Klosi në fjalën e tij të mbajtur në takimin me banorët e fshatit Maminas. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›