E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS protesta në zonën e Jugut, Rama: Në Tiranë më 30 prill

Tepelena dhe Gjirokastra kanë qenë stacioni i rradhës i protestës së opozitës për krizën ekonomike. Pas parashtrimit të një sërë arsyesh për të protestuar kryetari i selisë rozë Edi Rama përsëriti thirrjen për tu mbledhur në Tiranë në 30 prill.

"Të mblidhemi në Tiranë më 30 prill, sa nuk është ende vonë, të mblidhemi në Tiranë për të bërë atë që cdo popull i qytetëruar, cdo popull që nuk e shet lirinë e vet dhe nuk i negocion të drejtat e veta në këto raste. Të mblidhemi në Tiranë për të bërë atë që kanë bërë të gjithë ata që sot kanë demokraci të vërteta, me qeveri që gdhihen dhe ngrysen duke menduar si ti shërbejnë mirë popullit", tha Edi Rama, kryetar i PS.

Për kreun e Partisë Socialiste, shqiptarët i kanë vuajtur njëherë pasojat e rrënimit ekonomik dhe për këtë arsye i duhet dhënë fund politikave të Berishës. "Shqipëria ra njëherë në humnerën e piramidave të Sudes, Vebiut e të tjerëve me rradhë që u ndërtuan në vijën e Saliut. Shqipëria nuk mund të bjerë përsëri në humnerën e një shembjeje të piramidës së qeverisë së Saliut", tha Rama.

Deputeti socialist Blendi Klosi i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen opozitës në protestën e 30 prillit në Tiranë. Sipas tij protesta popullore do të largojë pushtetin ilegjitim të Berishës. "Na ndajnë sot vetëm pesë ditë nga protesta e madhe popullore ku shqiptarët do ti tregojnë këtij pushteti që nuk qeveris por sundon me vendim gjykate, se kupa është mbushur dhe se është Sali Berisha dhe qeveria e tij që nuk do të gëzojnë më mbështetjen e popullit shqiptar. Ndaj në 30 prill do të bashkohemi të gjithë së bashku në bulevardin e Tiranës në një protestë të pandërprerë deri në largimin e këtij pushteti ilegjitim", tha Blendi Klosi, PS.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e diel , 25 prill 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›