E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, sfidat dhe axhenda saj politike

Nisja e sesionit të ri parlamentar në muajin e ardhshëm do të sjellë rinisjen e debateve me PD për çështje të ndryshme


Selia rozë përgatitet për betejat në Kuvend, komisione, interpelanca, negociata, hetim dhe protesta


Ndonëse ndodhemi në një periudhë të qetë politike, kjo nuk mund të thuhet për muajin që do të vijë, pasi Partia Socialiste po përgatit axhendën politike të aksionit të saj opozitar.


Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në muajin shtator do të forcohet edhe më shumë aksioni i tyre politik, pasi përkon edhe me rinisjen e aktiviteteve politike, si edhe disa çështje të rëndësishme që do të kërkojnë më shumë energji politike. Nisja e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë do të sjellë edhe sqarimin e çështjeve të lëna pezull në sesionin parlamentar që lamë pas.


Krahas kësaj, do të fillojnë përpjekjet midis dy forcave të mëdha politike për të arritur në një konsensus për çështjen e hetimit të zgjedhjeve parlamentare përmes zhvillimit të negociatave. Një çështje e rëndësishme është dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore, që njëkohësisht do të "ndezë" në skenën politike shqiptare çështjen e kutive të votimit.


Kuvendi


Me nisjen e sesionit të tretë parlamentar, politika shqiptare do të nisë debatet midis tyre për çështje të cilat ka pasur kritika dhe reagime të ndryshme. Një nga ligjet më të diskutuara që do të kërkohet të miratohet nga mazhoranca do të jetë ligji i Shërbimit Informativ Shtetëror.


Zotimi i mazhorancës për të kaluar me "shpejtësi" këtë ligj, ka sjell edhe kundërshtimin e opozitës dhe faktorëve ndërkombëtarëve. Një nga betejat me të cilat do të përballet e majta është ky ligj dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion të saj për të mos e miratuar dhe të bëjë që të rishikohet, dhe të përshtatet konform standardeve të vendeve anëtare të NATO-s. Kjo nuk është e vetmja betejë e Partisë Socialiste.


Me fillimin e punimeve në Kuvend, nisin edhe komisionet parlamentare, për shumë ligje selia rozë do të bëjë një oponencë të fortë me argumente dhe do të kërkojë përmirësimin e një sërë ligjesh të cilat kalohen me forcën e kartonit nga ana e mazhorancës.


Një tjetër pikë e aksionit politik socialist do të jetë dhe zhvillimi i sa më shumë interpelancave me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, për t'i shprehur atyre kritikat, akuzat dhe defektet në drejtimin e vendit.


Negociatat


Një ngjarje e rëndësishme që në fillim të muajit të ardhshëm është dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore nga Presidenti Topi. Me përcaktimin e një date të tillë do të rindizet debati mbi çështjen e kutive të votimit dhe se çfarë duhet të bëhet me to. Partia Socialiste do të ripërsërisë kërkesën e saj për hetimin e plotë të zgjedhjeve përmes kutive.


Gjithashtu ajo do të forcojë aksionin e saj politik në dhënien e kontributit për zgjidhjen e krizës politike në vend, duke mos anashkaluar kërkesën e tyre të bërë prej shumë kohësh.

Zhvillimi negociatave me Partinë Demokratike do të jetë në fokusin e socialistëve. Megjithëse ata kanë dhënë pak kohë më parë propozime konkrete për zgjidhjen e krizës, Partia Socialiste do të vijojë betejën për hapjen e kutive të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.


Protestat


Nisja e protestave është gjithnjë e më shumë një opsion i shtruar në axhendën e Partisë Socialiste. Në deklarimet e fundit publike të zyrtarëve të lartë socialistë theksohet e më shumë fakti se zhvillimi i protestave është gjithnjë e më shumë një opsionin i tyre përballë kushteve në të cilat ndodhet vendi.


Nga selia rozë mësohet se kriza ekonomike në të cilët ndodhet vendi, skandalet korruptive në qeveri, keqqeverisja e vendit dhe kokëfortësia e mazhorancës për të mos dëgjuar kërkesat e opozitës, shtojnë mundësitë për zhvillimin e protestave në të gjithë vendin.


Gjithashtu, mësohet se në ditët në vijim socialistët do të paraqesin fakte të reja për korrupsionin që ka kapur shtetin përmes zyrtarëve të lartë të mazhorancës. Për të gjitha këto çështje që shqetësojnë opinionin publik dhe çështje të tjera të cilat do të dalin gjatë aksionit politik të Partisë Socialiste do të ketë një organizim për të zhvilluar betejën politike me mazhorancën.


Partia Socialiste apel deputetes demokrate

Hysi: Vokshi të dorëzojë imunitetin për t'i hapur rrugën drejtësisë


Partia Socialiste i kërkoi dje deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, që të dorëzojë imunitetin e saj dhe t'i hapë rrugë drejtësisë për të vijuar hetimet mbi pasuritë e familjes së saj.


Në një komunikim për mediat, nënkryetarja e grupit Parlamentar Socialist, Vasilika Hysi, deklaroi gjithashtu se mosdeklarimi i pasurisë së njeriut me të cilin bashkëjeton dhe që është njëkohësisht babai i dy fëmijëve të saj, është vetëm problemi i parë për deputeten demokrate.


"Përdorimi i artificave ligjore për t'u hequr si e varfër, ndërkohë që në realitet është milionere, është një mekanizëm i përdorur gjerësisht nga përfaqësuesit e pushtetit të Berishës",- deklaroi Hysi.


Por problemi i dytë, vijoi më tej juristja socialiste, ka të bëjë me korrupsionin dhe konfliktin e interesit. Sipas saj, fakti është se znj.


Vokshi shfrytëzoi për vite me radhë pozicionin e saj si këshilltare e kryeministrit për ekonominë, për t'i dhënë burrit të saj koncesione pa tender, por përmes pikëve bonus të firmosura nga vete kryeministri, siç janë rastet e hidrocentraleve SUHA 2 dhe hidrocentrali mbi lumin Kardhiq. "Zonja Vokshi, në reagimin e saj tha se ishte gati të dorëzonte imunitetin nëse akuzat mbi të do të vërtetoheshin. Në fakt, zonja Vokshi duhet të bëj të kundërtën.


Ajo, në fillim duhet të dorëzojë imunitetin për t'i hapur rrugën drejtësisë, e cila qoftë për zonjën Vokshi, qoftë për zotin Prifti, duhet të fillojë hetimet sa më shpejt lidhur me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve", apeloi deputetja e PS.


Kume: Klasa politike të nxitojë për reformën zgjedhore


Ish- kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume i bëri thirrje klasës politike që të nxitojë për të nisur punën për reformën zgjedhore. Sipas Kumes, me fillimin e punimeve të Kuvendit në muajin shtator, dy forcat e mëdha politike duhet të shpejtojnë me amendimet në Kodin Zgjedhor, e lidhur kjo edhe me datën 8 shtator që është edhe afati maksimal kur presidentit do t'i duhet që të dekretojë datën e zgjedhjeve. "Kjo kohë e mbetur në dispozicion për të bërë reformën zgjedhore është e limituar.


Me fillimin e punimeve të kuvendit prioritet do të duhet të jetë reforma zgjedhore", theksoi ish- kreu i KQZ-së. Kristaq Kume është nismëtar i "Aksionit qytetar për reformën zgjedhore", që ka si qëllim hartimin e një drafti me propozime konkrete për përmirësimin e zgjedhjeve nëse do të kërkohet nga dy forcat e mëdha politike. Propozimet e 12 organizatave qytetare synojnë korrigjimin e sistemit zgjedhor dhe depolitizimin administrimit të zgjedhjeve.


Pesha: Koalicioni PD-LSI i suksesshëm

Pavarësisht kundërshtive të shfaqura midis LSI dhe PD-së për disa ligje në Kuvend, zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Besjan Pesha, e cilësoi koalicionin ndërmjet këtyre dy forcave politike si të suksesshëm.


Sipas tij, pavarësisht koalicionit, LSI-ja përfaqëson elektoratin e saj dhe kundërshtimet mes dy forcave politike në një koalicion për çështje të ndryshme janë shenjë emancipimi.


"Nuk është thënë që të votojmë së bashku me Partinë Demokratike. Kjo tregon se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është palë ndaj një partie, por ka qëndrimet e veta dhe ka ndodhur që vota jonë të jetë kundër pasi ajo përfaqëson elektoratin", sqaroi Pesha.


Për të, votat ku është një hap emancipues që tregon sipas zëvendëssekretarit të LSI-së se çdo parti duhet të ketë identitetin e vet. Vetëm në pak kohë LSI ka kundërshtuar 5 nisma të demokratëve dy prej të cilave kanë të bëjnë me dekretet e presidentit për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin e SHISH-it.


Berisha takim me investitorët malajzianë


Kryeministri Berisha priti përfaqësues të kompanisë malajziane, Malajzian Mining Coorporation, MMC. Përfaqësuesit e kompanisë malajziane shprehën interesin për të investuar në sektorin energjetik dhe atë të infrastrukturës, përfshirë atë rrugore e portuale.


Nga ana e tij kreu i qeverisë bëri një panoramë të potencialeve të mëdha të Shqipërisë dhe të mundësive për investim si në sektorin e energjetikës, turizmit dhe infrastrukturës.


Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri siguroi investitorët malajzianë se në Shqipëri do të gjejnë një klimë të favorshme për bizneset e huaja, barrën fiskale. Berisha i garantoi ata se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe të strukturave të saj në përputhje me legjislacionin shqiptar, për t'i çuar drejt suksesit projektet e tyre.


Përfaqësuesit e kompanisë malajziane e falënderuan kryeministrin për pritjen dhe u shprehën, sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, se "janë rezultatet e publikuara së fundmi mbi ekonominë shqiptare dhe performanca e saj ka bërë që kompania e tyre të marrë vendimin për të shtrirë investimet në Shqipëri".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›