Nismë për referendum për hetimin e zgjedhjeve
14 qytetarë paraqesin në KQZ, kërkesën për referendum për zgjedhjet e 28 qershorit
Sipas nismëtarëve, kërkesa synon për t'i dhënë fund krizës politike nëpërmjet instrumentit kushtetues
Në një kohë kur klasa politike nuk ka zgjidhur krizën politike e cila pengohet te hetimi i fletëve të votimit, një grup qytetarësh paraqitën dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për organizimin e një referendumi ku qytetarët të ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara.
Tre janë pyetjet që shtrohen në kërkesën e paraqitur në KQZ të cilave qytetarët u dehet që ti përgjigjen me PO ose Jo.
Në pyetjen e parë qytetarët pyeten nëse duhen rinumëruar fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Ndërkohë që dy pyetjet e tjera lidhen se kush do të merret me rinumërimin e fletëve.
Qytetarëve u paraqiten dy mundësi të numërimit të votave, nga KQZ-ja ose nga shoqëria civile. Në letrën e drejtuar KQZ , nismëtarët sqarojnë se letra e tyre për referendum përfaqëson një kërkesë për referendum, në mënyrë që ti jepet fund sipas parimeve demokratike krizës politike që ka mbërthyer sistemin politik shqiptar.
Sipas nismëtarëve , ka ardhur koha që votuesit shqiptarë duhet të marrin përgjegjësinë dhe të ushtrojnë sovranitetin e tyre për të vendosur nëse kutitë duhet të hapen, nëse votat duhet të rinumërohen dhe se nga kush do të rinumërohen. Ata paralajmërojnë se nëse nuk do të ndërhyjë, situata do të përkeqësohet.
Duke qenë se po afrohet data e dekretimit të zgjedhjeve nga ana e kreut të shtetit dhe se një pjesë e politikës është e mendimit të djegies së fletëve të votimit, sipas nismëtarëve, kjo kërkesë ka për qëllim të shmangë destabilizimin e vendit. "Ne kërkojmë dhe shpresojmë që shqiptarët të kenë mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë pa ndërhyrje politike" thuhet në letrën drejtuar KQZ-së.
Ndërkohë ata ftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve , Presidentin e Republikës dhe Gjykatën Kushtetuese të tregojnë kurajon e duhur, duke mos u ndikuar nga klanet politike siç e cilësojnë ata në këto momente të krizës politike që po kalon vendi ynë.
Gjithashtu nismëtarët e kërkesës ftojnë edhe institucionet ndërkombëtare që të luajnë një rol konstruktiv në procesin e referendumit. Një nga nismëtarët e kërkesës për referendum është Andi Gjoliku.
Ai thotë se vendimin për të paraqitur një kërkesë të tillë erdhi pasi sipas Gjolikut në Shqipëri ka ardhur koha që vetë shtetasit të vendosin për fatin e votës. Për të kërkesa e tyre rrjedh nga e drejta që u jep kushtetuta.
Nismëtari i kësaj nisme Andi Gjoliku deklaroi se në rast se kërkesa për referendum nuk do të merret parasysh nga institucionet e caktuara, dhunimi i të drejtës për të vetëvendosur përmes referendumit do të pengonte ëndrrën evropiane.
Sipas ligjit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet tu kthejë përgjigje këtij grupi lidhur me kërkesën e tyre për referendum brenda 20 ditësh. Hetimi i Zgjedhjeve të 28 qershorit ka përçarë edhe dy forcat kryesore në vend.
Opozita kërkon që transparenca e zgjedhjeve të përgjithshme të shtrihet deri te fletët e votimit të cilat, sipas saj, komisioni hetimor parlamentar duhet t'i rinumërojë sa herë materiali zgjedhor nuk e plotëson transparencën. Por pikërisht hetimi edhe i fletëve të votimit kundërshtohet nga mazhoranca.
Sipas demokratëve kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në përputhje me ligjin ekzistues i cili sipas tyre parashikon djegien e fletëve të votimit. "Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së", thuhet në nenin 178 të Kodit Zgjedhor.
***************************
Sipas Kushtetutës të drejtën për referendum e kanë 50 mijë shtetas me të drejtë vote
Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes
Kushtetuta për referendumin
Sipas Kushtetutës të drejtën për të kërkuar referendum për një çështje e kanë 50 mijë shtetas me të drejtë vote. Ata i kërkojnë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të vçantë.
Një tjetër nismë për referendum mund ta ndërmarrë edhe Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të vçantë të shtrohet në referendum.
Në nenin 152 të Kushtetutës thuhet se Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum. Kjo gjykatë ka 60 ditë afat për të shqyrtuar nëse kërkesa përputhet ose jo me ligjin për referendumet.
Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë. Ndërkohë ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës. Por kushtetuta vendos edhe kufizime për çështje të caktuara.
Sipas saj çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
Gjithashtu Kushtetuta ndalon referendumin për një çështje me objekt të njëjtë. "Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij" thuhet në nenin 151 pika 3 të Kushtetutës.
Nismëtarët
Të kontaktuar nga gazeta " Shekulli nismëtarët sqarojnë se kërkesa adresohet nga 14 shtetas shqiptarë që i bashkon dëshira për t'i dhënë fund krizës politike nëpërmjet instrumentit kushtetues të referendumit." Ne nuk jemi një OJQ. Thjesht 14 individë që na bashkon një konsensus që kriza duhet të marrë fund" -thonë nismëtarët.
Anëtarët e grupit vijnë nga fusha dhe segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ata sqarojnë se kjo kërkesë e tyre për referendum ku qytetarët ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara vjen sepse klasa politike sipas tyre ka dështuar për të gjetur zgjidhjen e krizës. "Ne nuk jemi produkt i klasës politike dhe jemi në aleancë me popullin shqiptar"- theksojnë nismëtarët e kërkesës për referendum.