E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS sot në tryezë me tre kushtet, PD-ja me rekomandimet e OSBE-së

PS-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen për tryezën e sotme. Nga ana tjetër, PD-ja pritet që të parashtrojë në tryezë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

TIRANË Partia Socialiste do të marrë pjesë në tryezën e kërkuar sot nga Partia Demokratike për zgjedhjet, edhe pse dy ditë më parë sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, e konsideroi këtë ftesë si hipokrite. Për të mos qenë e tillë nga ana e PS-së, opozita pretendon se do të sjellë sot në tryezë propozime konkrete, të cilat në thelb duket se kanë të bëjnë me tre kushtet e përhershme të saj që lidhen me një KQZ të balancuar, listën e zgjedhësve dhe kartat e identitetit. “Zgjedhjet janë në rrezik, qeveria është duke tentuar për t’i manipuluar, me qëllim deformimin e rezultatit. Shenja të dukshme janë ato që lidhen me problemet me listat zgjedhore, me emërimet e KQZ-së dhe nga KZAZ-të dhe nga keqpërdorimi i aseteve qeveritare publike”,- u shpreh dy ditë më parë Xhafaj. Nga ana tjetër, PD-ja do të shkojë sot me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Në letrën që kryetari i grupit parlamentar të PD-së i shkroi homologut të tij socialist Gramoz Ruçi, Patozi shkruante se për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe arritjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare, raporti i OSBE/ODIHR-it sugjeron 31 rekomandime, ku disa prej tyre i drejtohen drejtpërdrejt ose tërthorazi partive politike. “Tashmë, administrata zgjedhore me në krye KQZ-në, që është organi suprem për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe administrata shtetërore në nivel qendror dhe vendor, janë në një fazë të avancuar dhe intensive të zbatimit të kuadrit ligjor për përgatitjen e zgjedhjeve, duke adresuar të gjitha ato rekomandime të raportit të OSBE/ ODIHR-it që kërkojnë veprim administrativ, pa ndryshuar ligjin”, - thuhet në letrën e Patozit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së citonte gjithashtu se rekomandimi i parë dhe më i rëndësishëm është që partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Patozi i referohet edhe rekomandimit 9 të OSBE/ODIHR-it, ku thuhet se, me qëllim pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen që të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit më të ulët. Duke iu referuar letrës, PD-ja do të kujtojë gjithashtu sot se autoritetet, ashtu si edhe partitë politike, duhet të marrin hapa vendimtarë për të siguruar që mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë apo qytetarët e tjerë, të mos ushtrohet presion, qoftë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës, qoftë për të mos u marrë me veprimtari politike apo për të votuar në një mënyrë të caktuar. Ndërkohë që OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias, sipas PD-së, përcaktojnë qartë se kuadri ligjor shqiptar për zgjedhjet “përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›