Basha në njësinë 5, taksat e larta e infrastruktura shqetësimi
Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, u takua me banorë të njësisë bashkiake numër 5 në Tiranë. Mungesa në infrastrukturë, mungesa e hapësirave publike për çlodhje dhe argëtim, taksat e larta lokale, trafiku, mungesa e parkingjeve, ishin disa nga problemet, që banorët e njësisë bashkiake numër 5 ndanë dje me kandidatin Basha. “Taksat lokale janë shumë të larta, të papërballueshme, po rregulluat këtë, keni bërë një punë të madhe”, - i tha Bashës një banor i zonës. Banorë të tjerë thanë se ka probleme të mëdha me infrastrukturën dhe me mungesën e hapësirave. Disa u ankuan për fasadat e pallateve, duke thënë se kanë frikë të kalojnë në trotuar, se mund t’u bjerë në kokë ndonjë objekt nga lart. Një shqetësim permanent për qytetarët mbetet trafiku dhe mungesa e vendeve për parkim. Gjatë ditës së tretë të fushatës, Basha takoi dhe fëmijë e të moshuar, të cilët shprehën shqetësimin për mungesën e hapësirave të gjelbërta. “Jemi të bindur se do të fitoni dhe keni mbështetjen tonë”, - i thanë Bashës, banorë të njësisë bashkiake numër 5 në kryeqytet.