E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, thellohet debati për ikjen ose jo të Ramës

22/07/2009  Baza socialiste e ndarë në qëndrimet e saj

Baza socialiste po shfaqet gjithmonë e më e përfshirë në debatin e lindur brenda kampit rozë për dorëheqjen e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Kështu, përfaqësuesit e Partisë Socialiste nga qendra në bazë janë të pozicionuar tashmë dhe zyrtarisht në pro dhe kundër largimit të kryetari socialist. Sinjalet e para u dhanë nga eksponentë të lartë të kësaj partie, të cilët kërkuan që Rama të japë dorëheqjen për shkak të humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Por këto sinjale u përqafuan mjaft shpejt dhe nga drejtues të kësaj partie në rrethe, të cilët kanë kërkuar respektimin e statutit të PS-së. Krahas këtyre zërave nuk kanë munguar dhe deklaratat në mbështetje të kryetarit aktual të partisë. Ndërkohë tronditja e bazës socialiste shkoi dhe më tej kur deklarata e kryetarit socialist në Shkodër, Edip Shiroka, është kundërshtuar dhe është hedhur poshtë me forcë nga shumica e përfaqësuesve të kësaj partie. Sipas Shirokës, përgjegjësia për humbjen është e kryetarit Rama dhe për këtë arsye ai duhet të dorëhiqet, duke respektuar në këtë mënyrë dhe statutin. Këtij qëndrimi i janë kundërpërgjigjur pjesa tjetër e drejtuesve të PS-së, të cilët kanë deklaruar hapur mbështetjen ndaj kryetarit Rama. “Në emër të shumicës absolute të anëtarëve të Asamblesë Socialiste të delegatëve të Kongresit, anëtarëve të këshillit bashkiak, kandidatëve për deputetë dhe të zgjedhurve në forumet më të larta të PS-së, si përfaqësues të anëtarësisë së Partisë Socialiste të Bashkisë së Shkodrës, pasi u njohëm me qëndrimet e fundit të Edip Shirokës, deklarojmë se këto qëndrime dhe veçanërisht kërkesa për largimin e liderit të PS-së janë kategorikisht personale dhe nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin real të strukturave dhe as anëtarësisë së PS-së të qytetit të Shkodrës”, - theksohej në deklaratën e publikuar dje nga përfaqësuesit e kësaj partie në Shkodër. Njëkohësisht ata shprehin rezerva dhe për anëtarët e kryesisë që kanë kërkuar largimin e Ramës, ndërkohë që nga ana tjetër theksojnë mbështetjen e palëkundur për këtë të fundit, duke mos pranuar largimin e tij.

Statuti i PS-së

Rama shkel ligjin e partisë

Deklaratat e deritanishme të kreut socialist Edi Rama, ku theksohet qëndrimi tij në këtë post, as më shumë e as më pak shprehin qartë se është vetë drejtuesi i kësaj partie që shkel kushtetutën e saj. Statuti i Partisë Socialiste e ka të përcaktuar pozicionin e kryetarit të saj në rast se partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme. Kështu, neni 28, pika b përcakton: “Mandati i kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative.” Në këtë mënyrë, mbetet që pas publikimit të rezultateve në mënyrë zyrtare të dalin në dukje zhvillimet brenda kampit rozë. Njëkohësisht kjo pikë e statutit u shtua pikërisht në kohën kur ndryshimet statusore u bënë nën “survejimin” e vetë kreut aktual Edi Rama. Kjo pasi, edhe pse ish-kryetari socialist Fatos Nano dha dorëhqjen më 2005-n, pasi PS-ja humbi në zgjedhjet parlamentare, kjo ishte vetëm një iniciativë personale e tij dhe jo e diktuar nga kushtetuta e partisë.

Qëndrimi

“Rama të njohë humbjen, të respektojë statutin”

Anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste lëshuan të parët thirrjen për largimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Kështu, deputetët e PS-së Ben Blushi dhe Arben Malaj kërkuan nga Rama të njohë humbjen në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe të respektojë statutin e kësaj partie. Por në të njëjtën kohë edhe një nga figurat më të rëndësishme në këtë parti, ish-kryetari i Kuvendit Sërvet Pëllumbi, dy ditë më parë deklaroi qartë se Rama duhet të respektojë statutin duke dhënë dorëheqjen, duke u bazuar pikërisht në atë çfarë përcakton statuti. Këtyre deklaratave iu bashkua dhe baza socialiste, ku drejtues të PS-së në rrethe bënë thirrje për largimin e Ramës. Ishte kreu i PS-së së Shkodrës ai që lëshoi një kërkesë të tillë. Deklarata e parë publike erdhi nga deputeti i PS-së Ben Blushi, i cili ka deklaruar se “në këtë humbje ne të gjithë kemi përgjegjësitë tona, sepse kemi heshtur kur duhej të flisnim dhe kemi folur kur duhej të heshtnim, por unë nuk mund të pajtohem me Edi Ramën, që thotë se ‘tani që partia humbi, unë jam më i fortë se kurrë’. Këto zgjedhje nuk i kanë humbur komisionerët, siç po interpretohet paturpësisht, por kauza e gabuar dhe politika e personalizimit të një beteje të përbashkët”.

Dorëheqja e Ramës

PS-ja e Lushnjës pro kërkesës

Kreu i Partisë Socialiste në Lushnje u është bashkuar thirrjeve për largimin e Edi Ramës nga posti i kryetarit të partisë. Kryetari socialist për këtë qytet, Leonard Gogu, ka deklaruar dy ditë më parë se është një ndër mbështetësit e largimit të Ramës nga drejtimi i socialistëve shqiptarë. “Rama duhet të japë dorëheqjen nga kreu i PS-së dhe t’u hapë rrugë zhvillimeve në parti”, - ka thënë Gogu. Ai thekson se kryesocialisti Rama është përgjegjësi kryesor për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Ramës i besuam një drejtim ndryshe, duke shpresuar në fitore, por me të nuk mund të fitojmë dot as zgjedhjet vendore”, - ka vënë në dukje Gogu gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›