E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmuren të gjithë ditën e gjyqit

22/07/2009  Fatmir Mediu dhe banda e Cërrikut shtyhen sërish

TIRANË- Janë shtyrë sërish disa nga proceset e pritshme ditën e djeshme në dy gjykatat penale të shkallës së parë. Tek Krimet e Rënda që në orët e para të mëngjesit është shtyrë procesi ndaj bandës së Cërrikut. Shkak për shtyrjen e këtij procesi është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Është dashur që gjykata të hap seancën dhe të bëjë vetëm verifikimin e palëve për disa minuta. Më pas gjithçka ka kaluar për në muajin shtator, muaj kur të gjithë kthehen nga pushimet verore. Të paktën kështu ka vepruar gjykata për një pjesë të madhe të proceseve gjyqësore. Pothuaj nga dhjetë procese që janë planifikuar në ditë pesë prej tyre pësojnë shtyrje për në shtator. Të njëjtin fat pësoi dje edhe procesi gjyqësor i nisur me kërkesë të Fatmir Mediut, ish- ministër i Mbrojtjes. Gjyqtari Kreshnik Omari e ka marrë të mirëqenë raportin e dërguar nga Fatmir Mediu për një kurim afatgjatë në shtetin grek. Pasi ka konfirmuar për herë të dytë raportin, gjyqtari shtyu gjyqin për në datë 14 shtator. Po në këtë datë e ka shtyrë procesin për Fatnmir Mediun edhe Gjykata e Lartë. Në shkallën e parë Fatmir Mediu ka paditur Kryeprokuroren Ina Rama për nxjerrje të sekretit shtetëror. Paralelisht me Ina Ramën ai ka bërë edhe një padi për prokurorin Sokol Stojani. Sipas Mediut, Prokuroria ka nxjerr informacione, të cilat ende nuk kanë dalë në proces gjyqësor. Por të dyja paditë ende nuk janë marr në shqyrtim. Fatmir Mediu është duke u gjykuar në Gjykatën e Lartë për tragjedinë e Gërdecit. Bashkë me Mediun, por në një proces të ndarë janë duke u gjykuar edhe një pjesë e ish- ushtarakëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›