E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat për pension, hyn në fuqi indeksimi

22/07/2009  Për personat që dalin sivjet në pension. Vendimi botohet në Fletoren Zyrtare

Koeficientët nga viti 1994 deri në 2008-n u miratuan nga qeveria para zgjedhjeve

Indeksimi i pagave për ata që dalin në pension gjatë këtij viti do të bëhet me koeficientët e rinj. Llogaritja e përfitimeve për pension që nga viti 1994 deri në vitin 2008 është miratuar nga qeveria para zgjedhjeve dhe ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare. Sipas këtij vendimi, të gjithë personat që kanë dalë në pension nga 1 janari i vitit të kaluar, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1 janari 1994 dhe deri në momentin e lënies së punës, si dhe pagat referuese që i përkasin periudhës së sigurimit para kësaj date, do të rivlerësohen radhazi duke u shumëzuar edhe me këtë koeficient. Sipas rregullores për caktimin e pensionit, çdo person që do të plotësojë dokumentet për të marrë pension, duhet të dërgojë bashkë me dosjen e tij edhe pagat e 10 viteve të fundit. Pensioni llogaritet me mesataren e tri pagave më të larta, në tre vite nga 10 vitet e fundit të punës. Koeficientët do të përdoren për të shumëzuar pagën, kjo do të thotë se paga e çdo viti do të shumëzohet me koeficientin që i përket atij viti. Në bazë të llogaritjeve rezulton se kontributi mesatar vjetor për një kontribuues në vitin 2008 është 96 030 lekë, ndaj 86 470 lekë që ishte në vitin 2007, pra me një rritje prej 11.05 për qind. Për efekte llogaritje fillestare të pensionit, për efekt rrumbullakimi, koeficienti i indeksimit është vendosur të jetë i plotë 11 për qind. Sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit, që u jepet të gjithë personave të siguruar, caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave dhe aktualisht është 9 515 lekë në muaj. Shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Llogaritja e koeficientit të indeksimit për vitin 2008 është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet e evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 2007 dhe 2008 dhe mbi bazën e të dhënave statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve.

Koeficientët

Koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve

Për vitin 2008 1.00

Për vitin 2007 1.11

Për vitin 2006 1.04

Për vitin 2005 1.02

Për vitin 2004 1.12

Për vitin 2003 1.10

Për vitin 2002 1.09

Për vitin 2001 1.14

Për vitin 2000 1.07

Për vitin 1999 1.09

Për vitin 1998 1.05

Për vitin 1997 1.22

Për vitin 1996 1.09

Për vitin 1995 1.37

Për vitin 1994 1.32

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›