E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, tjetër rreng për të bllokuar reformën zgjedhore

20-05-2012 / Gazeta 55

Dy kanë qenë problemet më të mëdha të Edi Ramës gjatë kohës së diskutimeve për reformën zgjedhore. Së pari, shthurja e raporteve me aleatët, të cilët i mashtroi me dashakeqësi dhe së dyti realizimi i platformës së Bllokut, për të mbajtur peng aspiratat e integrimit evropian të vendit

Për Partinë Socialiste, amendimi i Kodit Zgjedhor s’do të thotë se ka mbaruar puna për reformën e ligjit elektoral, pasi sipas tyre sistemi mund të rishikohet edhe më vonë.
I këtij mendimi është bashkëkryetari socialist në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri i cili përcjell qëndrimin më të ri të PS-së, pas bllokimit të punës në komision, me pretendime absurde si ato të emërimit të kreut të KQZ-së nga Avokati i Popullit, apo dhe hapjen e kutive të votimit pa patur prova.
Gjiknuri pohoi dje qasjen më të fundit të forcës më të madhe opozitare ndaj sistemit, që nëse për dy partitë më të mëdha nuk ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë debatit të reformës, ka cenuar raportet me partitë e vogla si më të interesuarat për korrektimin kombëtar.
“Modalitetet ekzistojnë në forma të ndryshme, mund të jetë ngritja e një komisioni të posaçëm vetëm për sistemin zgjedhore, mund të jetë krijimi i një tavoline me partitë parlamentare dhe jashtë Parlamentit për të dalë me një projekt të përbashkët. Shqipëria është kritikuar kryesisht për çështjen e administrimit dhe këtë ka synuar reforma. Ndarja e mandateve është çështje formulash apo mënyra se si do të përkthehet votat e marra në mandate, pra nuk prek pjesën e administrimit”, u shpreh Gjiknuri.
Duke vënë theksin te pjesa e kodit, që parasheh administrimin e zgjedhjeve, Gjiknuri deklaron se, është tejet e rëndësishme, që në pak ditët e mbetura të mund të arrihet në konsensus për të mundësuar miratimin e reformës zgjedhore deri në 24 maj. Por nëse, siç gjasat janë, shkohet në këtë datë pa dakordësinë e palëve, cili do të jetë qëndrimi i opozitës?
“Nëse nuk gjendet konsensusi, ne nuk jemi që institucioni të bllokohet, ti nënshtrohet votës në Kuvend dhe kjo çështja të marri zgjidhje një herë e mirë”, propozon Gjiknuri. Mazhoranca dhe opozita po qëndrojnë larg konsensusit për reformën zgjedhore për shkak të formulës së KQZ-së, çështjes se ankimimit dhe përdorimit të aparaturës identifikuese të kartave të identitetit në zgjedhje, ndërsa faktori ndërkombëtar ka apeluar në mënyrë të përsëritur për mbylljen e reformës brenda 24 majit.
Por çfarë fshihet pas këtij propozimi të çuditshëm të selisë rozë?
Dy kanë qenë problemet më të mëdha të Edi Ramës gjatë kohës së diskutimeve për reformën zgjedhore.
Së pari, shthurja e raporteve me aleatët, të cilët i mashtroi me dashakeqësi, menjëherë pasi mori suportin e duhur politik, për t’iu kundërvënë mazhorancës në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Por kjo nuk funksionoi kështu. Të vegjlit e kuptuan shumë shpejt hilenë e Edi Ramës dhe i kërkuan shpjegime se pse PS s’po respekton marrëveshjen, lidhur me korrektimin e sistemit zgjedhor dhe uljen e pragut elektoral (premtime këto të marrëveshjes së PS me aleatët). Sigurisht që, Edi Rama s’kishte përgjigje për interesat politike të Skënder Gjinushit, Paskal Milos apo dhe të Vangjel Dules, por përkundrejt llogaridhënies ndaj ish aleatëve, kryesocialisti zgjodhi rrugën e injorimit. Sot, kur kërcënimi i ish-aleatëve është për daljen nga koalicioni me PS-në dhe grupimin e mundshëm rreth një Poli të Majtë, bën që selia rozë të mendojë një strategji të rreme, në mënyrë që të mbajë gjallë shpresat e aleatëve deri në zgjedhjet e 2013-ës.
Dhe së dyti, Edi Ramës nuk i intereson përfundimi i reformës zgjedhore brenda afatit parlamentar, pasi me bllokimin e reformës zgjedhore ia del të bllokojë edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Në të dyja rastet ai mendon të përfitojë politikisht, pasi në sytë e Brukselit reforma zgjedhore është pika nevralgjike e progres-raportit të vitit 2012-ë, nga ku varet edhe statusi i vendit kandidat.
Kujt më shumë se Edi Ramës i intereson zvarritja e çështjes së integrimit dhe këtë mendon ta bëjë përmes mos-përfundimit në kohë të reformës zgjedhore. Për të s’ka rëndësi emergjenca kohore, po të ishte në dorë të tij, edhe zgjedhja e Presidentit do ishte thuajse një mision i pamundur, por këtu s’ka ç’ti bëjë mekanizmave kushtetues.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›