E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS vendos rikthimin në Kuvend, Ja projekti për opozitën ndryshe

SHKRUAN: Fejzi Braushi 01-09-2011 12:13

Ashtu sicc edhe kishte paralajmëruar kryetari i PS, Edi Rama, gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë Kombëtare, deputetët socialistë do të kthehen të hënën e ardhshme në sallën e parlamentit, për të vijuar betejen e tyre opozitare edhe në Kuvend. Megjithëse nuk ka ende një vendim grupi, një gjë e tillë u është konfimuar tashmë deputetëve socialistë nga vet kryetari i PS-së, Edi Rama, në takimet që ai ka patur me ta ditët e fundit. Në këtë funksion të këtij angazhimi të ri parlamentar, Rama ka zhvilluar dje dhe një takim me kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme kuvendore, të cilëve u është kërkuar që të ringrejnë mekanizmin parlamentar në të gjitha kuptimet e tij, për të bërë një opozitë, jo vetëm kundërshtuese e kontrolluese të qeverisë, por edhe alternative nëpërmjet propozimit të projektligjeve dhe amendamenteve të ndryshme.

Rikthimi

Partia Socialiste ka vendosur tashmë në mënyrë përfundimtare t’i jap fund bojkotit dhe t’i rikthehet jetës parlamentare në të gjitha nivelet e saj, në komisione dhe në seancë plenare. Kryetari Rama, në mbledhjen e fundit të Asamblesë dhe ditët e fundit, u ka komunikuar deputetëve të tij vendimin për t’u rikthyer në parlament që në seancën e parë, atë të hapjes së sesionit të rradhës të parlamentit në datë 5 shtator. Vetë deputetët socialistë kanë bërë të ditur se ditët e fundit kanë zhvilluar takime të veçnta sipas qarqeve me kryetarin e partisë, ku ky i fundit përvec angazhimit të tyre në jetën parlamentare, u ka konfirmuar dhe rikthimin në Kuvend që në seancën e parë. Megjithatë burime pranë PS-së kanë bërë të ditur se, një vendim përfundimtar për këtë cështje do ta marrë grupi parlamentar, i cili me shumë gjasa, do të mbledhet paraditen e së hënës, pra vetëm pak orë para se të nisë seanca plenare.

Takimi

Ndërkohë që dje pasdite Rama ka takuar kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare me të cilët ka diskutuar pikërisht për rikthimin në Kuvend dhe angazhimin e tyre në jetë parlamentare. Për të koordinuar veprimtarinë opozitare, në takim kanë qënë dhe shumica e krerëve të komisioneve të përhershme të Asamblesë Kombëtare, të cilët korespondojnë me komisionet parlamentare. Pjesëmarrësit në këtë takim kanë bërë të ditur se kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka kërkuar atyre që të riaktivizojnë makinerinë opozitare parlamentare, duke filluar që nga shqyrtimi i projektligjeve që vijnë nga qeveria dhe deri tek mjetet kontrolluese te qeverisë, nëpërmjet interpelancave të ndryshme apo pyetjeve të drejtpërdrejta për përfaqësuesit e qeverisë, gjatë mbrojtjes së nismave ligjore nëpër komisione dhe seanca plenare. Por jo vetëm kaq, pasi opozicioni që u ka kërkuar kryesocialisti Edi Rama drejtuesve të komisioneve, nuk do jetë ai që kemi parë në të shkuarën, pra për të bërë oponencën për cdo nismë që vjen nga shumica qeverisëse, por edhe një opozitë alternative. Kështu, bëhet e ditur se në funksion të kësaj lloj opozite të re, Rama ka marrë nga krerët e komisioneve projekt-planet për projektligje apo amendamente të ndryshme, që deputetët siocialistë do të paraqesin gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar. Kjo si një mundësi për të shfaqur një opozitë ndryshe, jo vetëm kundërshtuese, por edhe si alternativë qeverisëse, pavarësisht se nuk ka votat e duhura për t’i miratuar këto projektligje apo amendamente. Për hartimin e këtyre projektligjeve apo amendamenteve, krerët dhe deputetët e komisioneve parlamentare do të bashkëpunojnë në mënyrë të vazhdueshme me krerët dhe anëtarët e komisioneve të përhershme të Asamblesë Kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›