E Shtunë, 31 Tetor 2026

Datëlindja e Pacollit “bashkon” në Prishtinë Metën, Ramën e Topin

Prishtinë – Behgjet Pacolli bën bashkë Ramën, Metën e Topin në një mbrëmje gala për datëlindjen e tij. Gjashtëdhjetëvjetori i Behgjet Pacollit, zëvendëskryeministrit të Kosovës, ka mbledhur mbrëmë në një mjedis mondan në shtëpinë e tij mbi 200 vetë, aktorë të jetës politike, sociale e kulturore të Tiranës e Prishtinës. I tillë ka qenë spektri i të ftuarve, saqë ka futur në një strehë edhe personazhe që përndryshe do të ishin ‘armiq’, si Edi Rama e Ilir Meta. I ftuar ka qenë gjithashtu edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ilir Meta, kryetari i LSI-së, pas një pranie të shkurtër në mbrëmje ka ikur, me sa duket për të shmangur një “përplasje” të pakëndshme me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Festa ka qenë një përzierje e ballos me spektaklin dhe në krye të saj në rolin e moderatores është përzgjedhur gazetarja e ABC News, Sonila Meço. Ndër të tjera është shfaqur edhe një film dokumentar për jetën e Behgjet Pacollit. Në festë kanë qenë të pranishëm disa bij presidentësh të vendeve më të rëndësishme të Afrikës, me sa duket në shenjë respekti për njohjen që këto shtete i kanë bërë Kosovës. Tirana politike ishte sigurisht më e përfaqësuara. Grupin e udhëheqësve të Shqipërisë të pranishëm në 60-vjetorin e Pacollit e printe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi me bashkëshorten. Vijonte më pas Edi Rama me të shoqen; Princi Lekë me bashkëshorten, Elia Zaharia; nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Tavo; ish-kryeministri Meta me bashkëshorten; ministri i Ekonomisë, Nasip Naço; ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka. Një prani e dendur e njerëzve të medias, ku shquante pronari i Klan TV, Aleksandër Frangaj, Zamir Mane, njeri i biznesit dhe i mediave, Blendi Fevziu etj. Bashkë me ta ishte dhe bosi i ARMO-s, Rezart Taçi. Krerët më të lartë institucionalë të Kosovës, me përjashtim të kryetarit të Parlamentit, ishin gjithashtu të pranishëm në festë. Presidentja Atifete Jahjaga ishte për të nderuar paraardhësin, por dhe homologun e Shqipërisë. Kryeministri Hashim Thaçi, kreu i opozitës, Isa Mustafa, disa zëvendëskryeministra, përfaqësues të minoriteteve të Kosovës, ashtu dhe figurat më të shquara të elitës kulturore, letrare dhe artistike të Kosovës. Në ceremoni merrnin pjesë dhe personalitete të rëndësishëm nga kontinenti afrikan, si disa djem presidentësh të vendeve të rëndësishme, si Nigeria etj. Festa e 60-vjetorit të Pacollit u zbeh pak nga një shi i dendur që pengoi fillimin e ceremonisë së menduar të zhvillohej jashtë. Por kjo zgjati vetëm pak dhe festa me praninë e këngëtarëve të shquar Eli Fara, grupit Korona nga Kosova etj. vazhdoi nën moderimin e Sonila Meços. Datëlindja u shndërrua kështu jo thjesht në një eveniment të jetës mondane të Prishtinës, por dhe në tubim i madh politik, i cili grumbulloi krerët më të lartë të politikës së Shqipërisë dhe Kosovës, disa prej të cilëve janë rivalë të fortë me njëri-tjetrin. Ndaj nuk ka çudi që rreth këtij evenimenti të krijohen thashetheme të mëdha politike, që do ushqejnë jetën e vakët politike në dy vendet në fundin e verës, dhe rubrikat mediatike të specializuara apo dhe ato politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›