Berisha-Ruçi, replika për votimin e ligjeve me 3/5
Një ditë pasi dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë u përpoqën në Tiranë të fusin politikën shqiptare në binarët e bashkëpunimit për hir të procesit integrues, dy grupimet e mëdha politike në vend nuk kanë treguar asnjë hap konkret në terren. Edhe gjatë seancës së djeshme plenare palët kanë mbetur në kuadrin e deklaratave politike, por pa lëvizur nga pozicionet e tyre të hershme, pavarësisht mesazheve të përcjella se janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Kështu, kryeministri Berisha ka kërkuar me ngulm gjatë ditës së djeshme nga opozita që, si tregues i gatishmërisë për të bashkëpunuar në kuadër të procesit të integrimit, të hartonin dhe miratonin së bashku një rezolutë, dhe më pas të kalonin në plotësimin e vendeve vakante të atyre institucioneve që për t’u miratuar kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar socialist ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se opozita nuk mund të bëhet garniturë për mazhorancën, duke ftuar në të njëjtën kohë shumicën që të miratojë rezolutën që grupi i PS-së ka paraqitur që vjet për integrimin.
Berisha
Duke marrë fjalën gjatë seancës së djeshme në Parlament, kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që, së bashku, të dyja palët të hartojnë një rezolutë, në të cilën të shprehen zotimet dhe axhenda konkrete e hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit europian. “Tani është momenti që të faktojmë se deklaratat tuaja, se do votoni të gjitha çështjet që lidhen me integrimin, janë të vërteta dhe reale, apo janë një bllof i radhës, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të blihet kohë, me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të mund t’u hidhet hi syve shqiptarëve se ‘ne po themi se do votojmë, por nuk do votojmë dhe ne nuk po pengojmë’. Unë besoj se në rrafshin politik ky qëndrim do të ndëshkonte çdo shqiptar, por do të ndëshkonte në mënyrë të parikthyeshme autorët e tij”, - tha Kryeministri në fjalën e vet. Çdo orvatje tjetër, ka theksuar kreu i qeverisë, do të bëjë që populli ta dënojë sërish opozitën, ndërsa ka theksuar nga ana tjetër se mazhoranca që ai drejton nuk do të pranojë çdo përpjekje të opozitës për ta kthyer Kuvendin në shesh pazari. “Unë i kam ndjekur deklaratat në gjithë këto ditë e javë dhe ajo që më bën përshtypje është ideja se mund ta bëjnë Parlamentin shesh pazaresh. Unë ju garantoj se do të keni respektin më të plotë nga kjo mazhorancë. I tërë ky respekt do të bazohet në ligjin dhe Kushtetutën e vendit, do bazohet jo në pazare dhe jo në kushte. Ne nuk ju vendosim asnjë kusht. Unë ju siguroj se, sa të jem në qeveri, nuk do të keni kurrë kushte nga kjo qeveri, por përpjekjet për të vendosur kushte ndaj saj nuk janë gjë tjetër veçse atavizma që janë faktuar në qindra raste të pasuksesshme, të çdo forme që ato janë ndërmarrë”, - u shpreh Berisha, ndërsa ka garantuar opozitën se do të votonte që javën e ardhshme kandidaturën e saj për Avokatin e Popullit. Gjithashtu, ai është shprehur i gatshëm që në funksion të hedhjes së disa hapave të parë në funksion të këtij bashkëpunimi, të mandatojë dy anëtarë të djathtë për të diskutuar me përfaqësuesit e majtë modalitetet e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.
Ruçi
Kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi,duke reaguar ndaj deklaratave të Berishës, vlerësoi se opozita është gati të japë kontributin e saj për proceset integruese të vendit, por nuk do të pranojë komprometimin e rolit të saj. Ndaj ai, në kundërpërgjigje të ftesës së Berishës, ka deklaruar se bashkëpunimi i parë duhet të nisë nga ndryshimi i rregullores së Kuvendit. “Le t’i fillojmë, nga pika e parë, nga vota e lirë në Parlament. Nga fjala e lirë në Parlament, nga ndryshimi i rregullores së Parlamentit, nga kthimi i parlamentarizmit në Shqipëri. Bëni një hap ju dhe ne shumë shpejt, siç u tha nga kryetari dje në mbledhje të grupit parlamentar, do të depozitojmë kthimin e rregullores së Kuvendit në binarët e atij konsensusi që ka miratuar pozita dhe opozita këtu për të kthyer vërtet parlamentarizmin”, - tha Ruçi. Ndërsa duke folur për propozimin e Berishës për të miratuar një rezolutë, Ruçi ka theksuar se në Kuvend ekziston një projekt-rezolutë e paraqitur vjet nga opozita, duke ftuar mazhorancën që ta votojë.