E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD paralajmëron padi ndaj AKR-së dhe PD-së

Partia Social Demokrate e saj po kërkon para nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit dhe Partia e Drejtësisë e drejtuar nga Ferid Agani. Partia e themeluar nga Kaqusha Jashari, por të cilën së fundi i udhëhoqi ministri i FSK-së Agim Çeku, po ndihet e tradhtuar nga partitë tjera, me të cilat në zgjedhjet e fundit pati krijuar koalicionin parazgjedhor Koalicioni për Kosovë të Re.

Ish kreu i kësaj partie Agim Çeku kishte fituar mandatin e një deputeti në kuadër të këtij koalicioni, por e kishte dorëzuar atë për t`u bërë ministër, duke i lënë vendin deputetit tjetër në radhë që ka qenë nga PD-ja. Çeku së fundi ka kaluar në PDK, e PSD-ja ka mbetur edhe pa ministër e edhe pa deputetë.

Kjo parti po kërkon hise në buxhetin që ndahet për subjektet politike varësisht nga numri i deputetëve, pasi që Agim Çeku i cili ishte kryetar i PSD-së kishte arritur të bëhet deputet.

Themeluesja dhe ish kryetarja e Partisë Social-Demokratike Kaqusha Jashari, ka thënë për “Tribuna Shqiptare” se, edhe pse ligji parasheh që ndarja e mjeteve të bëhet në bazë të numrit të deputetëve, PSD-ja duhet të përfitojë nga këto mjete, pasi kishte fituar të drejtën e një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, AKR-ja dhe PD-ja kanë qenë të pasinqerta, sepse nuk janë munduar që ta gjejnë një zgjidhje brenda partnerëve të koalicionit për ta mundësuar financimin e PSD-së.

“Ne kemi menduar që partitë në koalicion pa marrë parasysh që nuk na takon sipas deputetëve, ta gjej një mënyrë tjetër që këto dy parti AKR-ja dhe PD-ja ta kompensojnë mungesën sepse jemi në koalicion dhe partitë duhet të funksionojnë. Mirëpo ne kemi mbetur pa asnjë cent dhe si parti kemi financuar vetveten gjë që ka qenë shumë vështirë”, ka thënë Jashari. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›