Qosja: Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen por jo tani

Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t'i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme". Kështu shprehet në një intervistë për Gazetën Shqiptare akademiku Rexhep Qosja i cili shprehet pesimist në lidhje me ecurine e zgjedhjeve të qershorit.
Duke folur për sfidat e politikës së Tiranës, profesori thekson se togfjalëshi Shqipëria po ndryshon është një mashtrim në përmbledhjen e madhe mijëra faqesh të rrenave dhe mashtrimeve që bën Sali Berisha në jetën politikeshqiptare tani e njëzet e dy vjet.
Në lidhje me kërkesën e Aleancës Kuq e Zi për referendum për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Qosja shprehet se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen, por jo tani në sajë të kërkesës së tanishme për referendum të Aleancës Kuqezi.
"Me politikën e tij anakronike rrejshëm atdhetare, turbosportive e turbofolklorike, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili 20 vjet i ka kaluar në luftë politike kundër, si thoshte ai, Shqipërisë së madhe, domethënë kundër bashkimit kombëtar tani po i nxit disa forca politike, që idenë e bashkimit kombëtar, në të vërtetë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e kanë në programet e tyre partiake, të bëjnë hapa politikë të parakohshëm e kjo do të thotë edhe të papërgatitur si duhet politikisht. Një hap i tillë, i shpejtuar, i parakohshëm për mendimin tim ishte edhe kërkesa që Aleanca Kuqezi ia paraqiti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e referendumit mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen, por jo tani në sajë të kërkesës së tanishme për referendum të Aleancës Kuqezi." shprehet ai./Indeksonline/