E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD përkrah hetimet e EULEX-it

Partia Socialdemokrate (PSD) përkrah hetimet e EULEX-it në lidhje me dyshimet për korrupsion dhe krim të organizuar.

Në një konferencë për gazetarë, zyrtarë të PSD-së kanë theksuar se askush nuk është fajtor pa u dëshmuar e kundërta në gjyq, por deklarimet e EULEX-it se ka mjaft dëshmi të korrupsionit, sipas tyre, janë tregues se diçka nuk është në rregull.

“Nëse ka fakte të mjaftueshme për procedura të mëtejme gjyqësore, PSD-ja shpreson se këto procedura do të vazhdojnë pa marrë parasysh presionet e mundshme apo pikëpamjet politike. PSD-ja konsideron se askush nuk është fajtor pa u dëshmuar e kundërta në gjyq, por deklarimet e EULEX-it se ka mjaft dëshmi të korrupsionit janë tregues se diçka nuk është në rregull”, ka thënë zëdhënësi i PSD-së, Tomor Maloku, transmeton KosovaPress.

PSD-ja vlerëson se luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative nuk duhet ta mbështesim vetëm të ndërkombëtarët, por kjo luftë në të ardhmen duhet të udhëhiqet nga vetë kosovarët, për çka nevojitet guxim dhe vullnet politik, si dhe një strategji e qartë antikorrupsion.

Maloku ka bërë të ditur edhe qëndrimin e PSD-së lidhur me bisedimet teknike Kosovë- Serbi, të cilat po paralajmërohen se do të ndodhin së shpejti. Sipas kësaj partie, e cila udhëhiqet nga ish-kryeministri Agim Çeku, këto bisedime mund të bëhen vetëm pas dhënies së verdiktit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vendit.

“PSD-ja vlerëson se pasi që Gjykata Ndërkombëtare të japë verdiktin e saj, Kosova mund të zhvillojë bisedime teknike me Serbinë, të cilat janë me interes për të dyja shtetet. Por PSD-ja është absolutisht kundër çfarëdo bisedimesh që lidhen më statusin apo kufijtë e Kosovës, të cilat Serbia do të përpiqet t’i imponojë nën maskën e bisedimeve teknike”, ka thënë zëdhënësi i PSD-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›