E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimet e papërmbushura të Mustafës

Iniciativa për Progres – INPO ka publikuar një raport lidhur me punën e Komunës e Prishtinës që përfshin periudhën janar - prill 2010, ku konstatohet se shumica nga premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore nga kryetari Isa Mustafa nuk janë përmbushur, ose janë përmbushur pjesërisht.

Raporti bën një vlerësim të përpjekjeve dhe arritjeve në realizimin e programit zgjedhor të Mustafës, respektivisht premtimeve që ai ka bërë gjatë fushatës parazgjedhore.

Raporti për punën katërmujore të Kryetarit dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës thuhet se është hartuar mbi bazën e premtimeve të dhëna dhe realizimit apo inicimit të realizimit të tyre nga Kryetari i Prishtinës.

Në hartimin e këtij raporti, INPO është mbështetur në shumë burime të informacionit: monitorimi i seancave të Kuvendit të Komunës, Komitetit për Politikë dhe
Financa; analizimit të dokumenteve të ndryshme si procesverbale dhe rendet e ditës; analizimi i raporteve të medieve të shkruara dhe elektronike, debatet si dhe diskutimet e organizuara nga shoqëria civile.

INPO ka rikujtuar se gjatë fushatës parazgjedhore, nga 15 tetor deri më 13 nëntor 2009, në mes të tjerash, Mustafa ka premtuar:
1. Transparencë më të madhe të punës së Kuvendit Komunal,
2. Shpenzim efikas të fondeve publike,
3. Përmirësim të gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm,
4. Reformë të stafit administrativ: pranim të punonjësve të moshës së re dhe të përgatitur
profesionalisht;
5. Riorganizimin e inspektoratit në përputhje me nevojat e Prishtinës dhe përgjegjësitë
specifike të drejtorive;
6. Organizimin bashkëkohor të punës me palë në sportele të hapura dhe digjitalizimin e
plotë të lëshimit të dokumentacionit (shërbimet e ofiçarisë dhe dokumentet tjera për
qytetarë dhe biznese);
7. Zhvillimin e Zonës Ekonomike të Prishtinës;
8. Eliminimin e ndërrimit të tretë dhe të katërt në shkolla fillore (deri në vitin 2011);
9. Shkolla të reja moderne në rrjet adekuat dhe me infrastrukturë përcjellëse si:
laboratorë, salla sportive, rrjet kompjuterik dhe internet;
10. Eliminimin e burimeve për informalitete në fushën e ndërtimeve dhe legalizimi i
objekteve të ndërtuara pa leje duke pasur parasysh kriteret e bazuara në aspektin e
sigurisë;
11. Ndërtimin e mekanizmave për menaxhim urban efikas;
12. Ndërtimin dhe regjenerimin e Qendrës së Prishtinës në vitin 2010
13. Hartimin e Planit të Konservimit për zonën historike dhe lidhja e forte e kësaj zone me
qendrën e vjetër të qytetit;
14. Përfundimin e Rrugës Unazore‐Qendër;
15. Rrjet të organizuar të parkingjeve në gjithë qytetin dhe garazhe nëntokësore;
16. Kompletimin e rrjetit të shëndetit parësor;
17. Rregullimin e ashensorëve;
18. Krijimin e zonave të lira të internetit, duke filluar me Parkun e Qytetit;
19. Ngritjen e Qendrës Rekreative Sportive në Zonën Ekonomike me partneritet publikoprivat;
20. Riorganizimin e NP “Pastrimi” dhe kyçjen e konkurrencës private për të ngritur
rregullsinë e mbledhjes së mbeturinave dhe nivelin e pastrimit dhe larjes së rrugëve.

Sipas INPO-s, në realizimin e premtimeve 1, 4, 10, 11, 13, 15, 18 dhe 19 nuk ka pasur asnjë përpjekje ose angazhim konkret; Për premtimet 3 dhe 12 ka shenja pozitive në realizimin e premtimit; Për premtimet 2, 7, 14 dhe 20 është vlerësuar se ka një proces të filluar në realizimin e premtimit, por me ngecje; Përmbushja e premtimeve 5, 8 dhe 17 është vlerësuar me notën 3, që tregon një proces të filluar dhe në rrugë të mirë;

Premtimi 6, është vlerësuar me notën 4, që tregon se hapa konkretë kanë filluar të ndërmerren për realizimin e premtimit dhe diçka në këtë kontekst është bërë. Kurse premtimet 9 dhe 16 kanë marrë notën më të lartë – 5, që tregon se realizimi i premtimit është në fazën drejt finalizimit.

Në raportin 10 faqësh të INPO-s, i cili iu është shpërndarë dhe medieve, thuhet se periudhën prej marrjes së pushtetit me dhënien e betimit me datë 28 dhjetor 2009 e deri në fund të janarit, kryetari Mustafa e ka shpenzuar kohë për të emëruar drejtorët komunalë. “Ka emëruar drejtorë të rinj e të vjetër, me të cilët do të qeverisë gjatë mandatit të dytë. Drejtorët që kanë mbetur u janë ndërruar vetëm postet. Për nënkryetar të komunës e ka zgjedhur Avdullah Hotin, këshilltarin e tij gjatë mandatit të
parë. Kryetari Mustafa ka informuar këshilltarët e Kuvendit të Komunës (me 28 janar) për emërimet e drejtorëve, por nuk ka prezantuar asnjë plan qeverisës”.

Premtimet nga ana e zyrtarëve vlerësohet se janë dhënë nën efektin e fushatës zgjedhore, por gjithashtu është vërejtur që disa projekte që kishin filluar së zbatuari, ose që ishin planifikuar në mandatin e kaluar do të vazhdojnë/fillojnë së realizuari.

“Ka dy vjet që komuna po kërkon zgjidhje për të rregulluar Sheshin e Pavarësisë ‘Ibrahim Rugova’, por deri tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje urbane. Prishtina nuk ka
asnjë shesh me të cilin mund të krenohet. Të gjitha sheshet ekzistojnë vetëm në letër.
Punime nuk ka pasur në asnjërin prej tyre”, thuhet në raport.

Gjithashtu është premtuar një zgjidhje për përfundimin e punimeve në sheshin “Nëna Terezë” (rishtrimi i granitit) dhe gjatë 100 ditëve asgjë nuk ka filluar. “Punimet në këtë shesh nuk kanë përfunduar dhe si rrjedhojë nga viti 2007 projekti nuk është pranuar ende teknikisht”.

Ndërkohë ndarja e trojeve për ndërtime individuale në lagjen “Mati III”, projekt ky i filluar në vitin 2006, ende nuk ka filluar të realizohet. “Gjatë periudhës 4-mujore nuk është përmendur nga ana e kryetarit, ani pse me herët ka premtuar se do të fillojë me zbatimin e këtij projekti. Në lokacionin e ndarë nga komuna përfshihet ndarja e 490 trojeve për ndërtime individuale. Në komunë shpesh është thënë se projekti zbatues është në hartim”.

Është premtuar gjithashtu se projekti që do të vazhdojë pas përmirësimit të kushteve klimatike, janë fasadimet e ndërtesave kolektive banesore në rrugën “Luan Haradinaj” dhe “Agim Ramadani”. “Pesë muaj nga kjo deklaratë dhe gati tre muaj pas përmirësimit të dukshëm të kushteve klimatike puna nuk ka filluar. Kryetari edhe gjatë fushatës zgjedhore ka thënë se mirëmbajtja e objekteve banesore, gjatë këtij viti do të fillojë të bëhet përmes Ndërmarrjes Publike Banesore”, konstaton INPO.

Në raportin më të gjatë, shtjellohen edhe prioritetet gjashtëmujore të Qeverisë Mustafa 2, të cilat janë prezantuar në fillim të shkurtit, e të cilat nuk kanë dalluar shumë nga ato të fushatës.

Qeverisja e Isa Mustafës kritikohet edhe për mungesë të theksuar transparence me mediat. INPO ka konstatuar se madje ka regres në këtë fushë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›