E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS:Fakte të reja për korrupsionin e dirigjuar nga Berisha

Deputetja Olta Xhaçka, në deklaratën e saj për mediat ngriti pikëpyetje mbi rolin e motrës tjetër Vokshi, e cila sipas saj, ka pasur pozicion të rëndësishëm në Ministrinë që i ka dhënë Albana Vokshit gjashtë hidrocentrale me koncesion.

“Tani për të gjithë është e qartë se vetëm në lumin Kardhiq, çifti Albana Vokshi dhe Arjan Tartari kanë përfituar jo një, por plot gjashtë hidrocentrale. Këtë të vërtetë të provuar me fakte u detyrua ta pranonte publikisht dje Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, duke përgënjeshtruar deputeten Albana Vokshi”, deklaroi Xhaçka, duke ngritur edhe disa pyetje para opinionit publik shqiptar.

Xhacka fillimisht ngriti pyetjen, se përveç Albana Vokshit që në kohën kur Kryeministri firmoste koncesionet ishte funksionare në kabinetin e Sali Berishës, cili është roli i motrës tjetër Vokshi, Mimozës, e cila kur Arjan Tartari dhe Albana Vokshi merrnin 6 hidrocentrale, punonte si drejtoreshë e privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë, që ka ushqyer me kaq shumë bukë lepurushi Arjan Tartarin dhe Albana Vokshin?

Së dyti, deputetja socialiste i kërkoi kryeministrit Berisha, se si e shpjegon faktin se nga gjithçka që i quan investime të mëdha, dalin në fakt lepujt e mëdhenj të korrupsionit qeveritar në dëm të ekonomisë shqiptare, dalin në pah emra personazhesh të lidhur ngushtësisht me familjen në pushtet dhe pushtetin e familjes?

“Sali Berisha bën ç’bën dhe hesht. Ndoshta mendon se çdo çudi në Shqipëri
zgjat vetëm tre ditë, por çudia e korrupsionit të dirigjuar prej tij është se cdo tre ditë na shfaqet një çudi e re. Megjithatë, flet apo s'flet Sali Berisha, shqiptarët po e kuptojnë se ferra ku fshihet dhe ushqehet lepuri i korrupsionit është vetë Sali Berisha”, deklaroi deputetja Olta Xhaçka.

Ajo premtoi se “Partia Socialiste do të vazhdojë me publikime të reja të provave dhe fakteve të këtij korrupsioni shkatërrues, i cili nuk fshihet dot as me heshtjen e Kryeministrit dhe që nuk mbulohet dot nga balta e neveritshme e shpifjeve bajate të kësaj qeverie”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›