E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa angazhimin e rinisë, ndryshimi nuk mund të vijë

Erjon Doda/Student në Shkenca Politike

Ishin vitet ’90 atëherë kur në Shqipëri po ushtrohej presioni ndoshta më i madh politik. Kishte ardhur koha që Shqipëria të ndryshonte kursin politik. Ishin pikërisht të rinjtë që e kërkuan këtë gjë, herë me protesta, herë me bojkote, e herë me greva. Të rinjtë, studentët vunë në rrezik gjithçka, madje edhe jetën e tyre për një ëndërr që gjer në atë kohë kishte qenë e ndaluar; hapja e dyerve të Shqipërisë me Perëndimin. Ëndrra më e madhe e atyre të rinjve ishte pikërisht “Shqipëria si gjithë Europa”. Por sot, 23 vjet më vonë a është arritur kjo ëndërr? Studentët e Dhjetorit ’90 më shumë sakrifica arritën të “siguronin” lejen për të ndërtuar për herë të parë në Shqipëri, në ato vite partinë e parë opozitare. Me lejen e ish-presidentit Ramiz Alia, kjo parti u formua, por si është e mundur që drejtimin e saj e mori në dorë menjëherë një ish-komunist që u shndërrua brenda natës në një antikomunist? Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur ky paradoks. Edhe sot, 23 vjet më vonë Shqipëria është ende shumë larg Europës. Amaneti dhe dëshira e atyrete rinjve, që vunë në rrezik jetët e tyre, ende nuk është realizuar. Do të duhen ndoshta edhe shumë vite që kjo gjendje të ndryshojë. Do të duhen ndoshta dyfishi i sakrificave që ata të rinj dhanë për të hedhur hapin e parë, që kjo gjendje të ndryshoje. Njerëz të papunë, pensione të vogla, të cilat nuk mjaftojnë as për ilaçe, falimentimi i bizneseve të vogla duke lënë të tjerë të papunë, janë disa faktorë për një gjendje që duhet të ndryshojë. Dhe kjo gjendje natyrisht ndryshohet vetëm me angazhimin e të rinjve. Do të jetë kjo rini që do të mundësojë në realitet ëndrrën e tyre sot, e atyre të rinjve dje, të cilët me fuqinë e ëndrrës përmbysën një sistem. E keqja nuk ka mbaruar e as nuk do të mbarojë derisa kjo rini të angazhohet. Shpesh thuhet se: Merru me politikë, se po nuk u more ti me politikën do te merret politika me ty! Sot e kam të qartë çfarë është dashur të thuhet. E lamë në 23 vjet politikën të merrej me ne, dhe sot jemi në këtë gjendje. Prandaj rinia do të angazhohet, për më shumë punë e për një mirëqenie normale, por shumë më të mirë se kjo.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›