Pa bisedime për paqe, edhe SHBA-ja mund ta njohë Palestinën

Ministri izraelit i Industrisë, Tregtisë dhe Punëve, Ben-Eliezer, i kërkoi sot qeverisë të përshpejtojë procesin e kthimit në negociatat për paqe në Lindjen e Mesme, “edhe me çmimin e ngrirjes së ndërtimeve për pak muaj”.
Benjamin Ben-Eliezer deklaroi se ekzistenca e izraelit varej mbi ripërtëritjen e negociatave në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar ministrat në takimin javor se Palestina mund të marrë mbështetje për shtetin e saj anekënd botës para se paqja të arrihej.
“Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që të hyjmë në bisedime me Palestinezët, madje edhe nëse kjo kërkon ngrirjen e ndërtimeve për pak muaj”.
“Unë nuk do të habitesha nëse brenda vitit e gjithë bota mbështet shtetin palestinez, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atëherë në do të pyesim se ku ishim dhe ç’po bënim”, theksoi Ben-Eliezer.
Vendet e Amerikës Latine e kanë njohur tashmë Palestinën. Bashkimi Evropian ka refuzuar për një kohë më “të përshtatshme”, teksa Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA kaloi këtë muaj një rezolutë duke theksuar se vetëm bisedimet për paqe mund të krijojnë një proces të tillë në lëvizje.
Bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Palestinës rifilluan pas rreth 2 viteve në muajin shtator, për tu ndërprerë vetëm pak kohë më pas.
Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, refuzoi të vijonte bisedimet pas rifillimit të ndërtimeve në tokat e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967. Abas ka kërcënuar se pa ndërprerje të përhershme në ndërtimeve nuk do të kthehet në bisedime.
Edhe Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara i kanë cilësuar këto ndërtime si në kundërshtim të hapur me konventat ndërkombëtare.